Lidhje

Njohja e opozitës siriane nga SHBA


Njohja zyrtare e koalicionit të grupeve opozitare siriane nga Shtetet e Bashkuara ka për qëllim izolimin e ekstremistëve dhe rritjen e trysnisë mbi presidentin Bashar Al-Asad. Por ndarjet mes grupeve laike dhe atyre islamike në Siri janë ende të thella.

Duke marrë parasysh përparimin e kryengritësve sirianë kundër forcave të presidentit Al-Asad, administrata e presidentit Obama thotë se njohja e koalicionit të grupeve opozitare forcon luftën kundër presidentit sirian.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Victoria Nuland:

“E kemi thënë që në fillim se në mungesë të përpjekjeve të regjimit të Asadit për t’i dhënë fund luftës, në mungesë të angazhimit për tranzicion, ne do të vazhdojmë të mbështesim opozitën aq sa mundemi”.

Zonja Nuland thotë se njohja e opozitës ndihmon në përgatitjen e rrugës për një Siri pa presidentin Al-Asad.

“Kjo na jep gjithashtu një mundësi më të mirë për organizimin e ndihmës jo-ushtarake që ne jemi duke ofruar në mënyrë që ajo të arrijë drejtpërdrejt te udhëheqësit politikë në terren, në këshillat lokale koordinuese, sidomos në ato zona të Sirisë që tani janë çliruar nga kontrolli i regjimit”.

Kjo mund t’i ndihmojë këshillat vendore të koordinohen më mirë me kryengritësit. Përçarjet e tyre janë shfrytëzuar nga forcat e presidentit Al-Asad.

Analisti Malou Innocent në Uashington thotë se luftëtarët që luftojnë kundër presidentit Asad duket se janë gjithnjë e më të fokusuar.

“Tani udhëheqësit e brigatave të pavarura po bashkohen dhe po krijojnë koalicione në përpjekje për të rrëzuar presidentin Assad”.

Koalicioni që u krijua në Marok kishte përfaqësim më të gjërë se sa përpjekjet e fundit për bashkimin e kundërshtarëve politikë. Por edhe ky koalicion nuk ka rënë dakord për një qeveri kalimtare.

Analisti nga Londra Malik El-Abdeh thotë se ndarjet e thella mes grupeve laike dhe grupeve islamike janë ende të forta.

“Vëllazëria Myslimane duket se është në pozitë dominuese, që unë nuk mendoj se do të jetë tërheqëse në Perëndim. Megjithatë, tani Perëndimi ndihet i detyruar të legjitimojë opozitën për shkak të ritmit të shpejtë të zhvillimeve në terren”.

Malou Innocent thotë se njohja e grupeve opozitare nga Shtetet e Bashkuara është një përpjekje për dobësimin e ekstremistëve.

“Kjo është një përpjekje për të legjitimuar forcat rebele më të moderuara dhe për të krijuar një Siri më pak të përçarë nga mosmarrëveshjet mes grupeve laike dhe atyre ideologjike”.

Megjithë njohjen e grupeve opozitare dhe marrjen e përgjegjësive nga politikanët e opozitës në zonat e kontrolluara nga kryengritësit, gjendja do të vazhdojë të jetë e vështirë për shkak të shkatërrimeve nga luftimet në 21 muajt e fundit. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 2 milionë shtëpi janë dëmtuar dhe mijëra të shkolla dhe bizneseve janë shkatërruar.
XS
SM
MD
LG