Lidhje

Sistemet virtuale në ndihmë të mjekëve


Mjekët në Tajvan po mësojnë si të trajtojnë pacientët me koronavirus duke përdorur syzet virtuale. Një kompani telefonash celularë ka ndërtuar një sistem virtual që mund të mësojë procedurat themelore para se stafi mjekësor të përballet me rreziqet.

Mjeku Ke Jian-yu është i gatshëm për trajnim. Shefi i pavionit të uregjencës në spitalin Tzu-Chi po praktikon trajtimin e pacientëve me COVID-19. Por ai nuk ka nevojë të takohet personalisht me askënd pasi trajnimi realizohet përmes sistemit virtual.

Sistemi mjekësor i trajnimit SimX VR është krijuar nga kompania tajvaneze e telefonave HTC dhe fondacioni mjekësor budist Tzu Chi.

Syzet dhe pajisjet elektronike në dorë e vendosin përdoruesin brenda një mjedisi virtual. Përmes këtij sistemi ata mund të testojnë aftësitë e tyre dhe të mësojnë nga gabimet pa rrezikuar shëndetin e tyre, thotë mjeku Ke Jian-yu.

“Ndjej shumë presion kur trajtoj pacientët me COVID-19 pasi nuk kemi vaksinë apo ilaçe kundër sëmundjes. Kam frikë se mund të infektoj ndonjë pjestar të familjes apo miqtë. Para se të futem në pavion, jam i përgatitur të vdes, madje mendoj se ndoshta mund të mos e shoh familjen pas këtij muaji.”

Përmes sistemit virtual mësohen procedurat që janë pothuajse po aq të detajuara sa edhe në mjedisin real, kur trajton pacientë me koronavirus. Ata mësojnë përmendësh se si të vënë dhe heqin kostumet mbrojtëse dhe familjarizohen me marrjen e mostrave, derisa këto veprime të bëhen reflekse natyrale.

Mjeku Ke u trajnua me pajisjen virtuale para se të trajtonte pacientë me COVID-19 në spitalin Tzu Chi.

“Besoj trajnimi me sistemin virtual do të bëjë që unë të përmirësoj aftësitë në trajtimin e pacientëve, të pëqendrohem tek diagnoza dhe madje edhe tek zgjedhjet e ilaçeve.”

Mjedisi vitual e mundëson stazhierin që të marrë një mostër nga gryka e pacientit, sikur të ishte në jetë reale. Përdorimi i sistemit ngjan si një lojë video elektronike.

“Sistemi ynë virtual është shumë i ngjashëm me lojërat elektronike virtuale, ndaj është i lehtë të përdoret. Stazhierëve u duhet të mësojnë disa procedura thelbësore”, thotë Drejtori i Departamentit të Urgjencave në spitalin Tzu-Chi në Taipei, zoti Yiang Giou-teng.

Për shumicën e njerëzve virusi shkakton simptoma të lehta apo të mesme, si ethet dhe kolla, të cilat kalojnë pas dy apo tre javësh. Për disa të tjerë, kryesisht të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore, virusi mund të shkaktojë sëmundje më të rënda, përfshi pneumoninë dhe madje edhe vdekje. Shumica e njerëzve shërohen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG