Lidhje

Kujtohet skandali Watergate


Ajo që filloi si një hyrje fshehurazi në zyrat e Partisë Demokrate në kompleksin Watergate, solli dorëheqjen e presidentit Richard Nixon

Të dielën, më 17 qershor mbush 40 vjet njëri prej skandaleve politike më me pasoja në historinë amerikane, skandali Watergate. Ajo që filloi si një hyrje fshehurazi në zyrat e Partisë Demokrate në kompleksin Watergate në Washington, solli dorëheqjen e presidentit Richard Nixon. Kjo ngjarje vazhdon të ketë jehonë sot për politikanët dhe ambiciet e tyre, paratë e fushatave dhe abuzimimin me pushtetin:

Gjithshka filloi në orët e para të mëngjezit të 17 korrikut të vitit 1972. 5 burra që punonin për fushatën e rizgjedhjes së presidentit Nixon u arrestuan, ngaqë po përpiqeshin të futeshin në zyrat e Partisë Demokrate në kompleksin Watergate.

Gazetarët e Washington Post-it, Carl Bernsetin dhe Bob Woodward e mbuluan këtë ngjarje për gazetën e tyre dhe zbuluan se çështja Watergate ishte vetëm pjesë e një programi të përpunuar që kishte filluar të zbatonte fushata për rizgjedhjen e Richard Nixon-it me synimin që të minonte kundërshtarët politikë të presidentit.

“Ne zbuluam emrat e njerëzve të përfshirë në një komplot kriminal, që synonte të shkatërronte sistemin e lirë elektoral që ne kemi në vendin tone, duke spiunuar dhe sabotuar demokratët”.

Hetime kriminale dhe ato të Kongresit pasuan njoftimin e Washington Postit dhe zbuluan një aktivitet të fshehtë nga fushata e presidentit Nixon dhe nga Shtëpia e Bardhë, duke përfshirë edhe vetë Presidentin.



Gjatë seancave të dëshmive në Senat në vitin 1973 u zbulua se Nixon-i i regjistronte bisedat e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe këto kaseta me regjistrime në fakt ndihmuan për të provuar përfshirjen e presidentit në përpjekjet për mbulimin e çështjes.

Sapo regjistrimet e Shtëpisë së Bardhë treguan përfshirjen e Presidentit në përpjekjet për të mbuluar çështjen, presidenti humbi mbështetejen bazë të Partisë Republikane në Kongres dhe ai dha dorëheqjen në gusht të vitit 1974.

“Nuk kam hequr kurrë dorë nga asgjë. Largimi nga detyra para përfundimit të mandatit tim është diçka e pështirë për vetë qënien time. Por si president, unë duhet të ve interesat e Amerikës mbi gjithshka.”

Pas dorëheqjes së zotit Nixon, nënpresidenti Gerald Ford bëri betimin si president dhe u përpoq menjëherë të shëronte vendin e përçarë.

“Bashkatdhetarët e mi amerikanë, ankthi ynë ka marrë fund. Kushtetuta jonë funksionon plotësisht. Republika jonë qeveriset nga ligjet dhe jo nga njerëzit. Tek ne sundon populli.”

Historiani i Universitetit Amerikan Allan Lichtman thotë se Watergate mbetet përpjekja më serioze nga një president dhe ekipi i tij për të minuar procesin demokratik të vendit.

“Ai ishte një komplot me përmasa të mëdha. Dhjetra njerëz u burgosën, përfshirë zyrtarë të lartë të fushatës së zotit Nixon dhe administratës së tij. Pra, shumë njerëz që duhet t’i kishin njohur rregullat më mirë, u zhytën në këtë skandal të tmerrshëm dhe ai u bë një tragjedi me përmasa shekspiriane, sepse në shumë drejtime Richard Nixoni bëri shumë për vendin”.

Para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, zoti Nixon mbajti një fjalim emocional para personelit dhe e përfundoi atë me një frazë që i goditi shumë njerëz si një këshillë ironike.

“Asnjëherë mos harroni se të tjerët mund t’u urrejnë, por ata që ju urrejnë juve nuk mund të fitojnë në qoftë se ju nuk i urreni ata dhe në një rast të tillë, ju shkatërroni veten”.

Tani 40 vjet më pas, skandali Watergate shihet jo vetëm si një fitore për procesin demokratik, por edhe si një shembull përcaktues mbi rëndësinë e shtypit të lirë në një shoqëri demokratike.
XS
SM
MD
LG