Lidhje

Skuadra amerikane përgatitet për Botërorin


Ngjarja më e madhe sportive në botë, Kampionati Botëror i FIFA-s, fillon më 12 qershor në Brazil, kur vendi mikpritës do të përballet me Kroacinë. Skuadra kombëtare amerikane është duke kaluar nëpër përgatitjet e saj përfundimtare me optimizëm se do të luajë mirë edhe në Brazil.

Ky është stadiumi Red Bull në qytetin Harrison, të Nju Xhersit, shumë afër qytetit të Nju Jorkut. Dhe është një nga vendet e trajnimit për skuadrën amerikane para Botërorit.
Në këtë stadium, skuadra u stërvit para ndeshjes miqësore me Turqinë më 1 qershor që e fitoi 2-1 . Media u lejua për të ndjekur një pjesë të stërvitjes së ekipit. Stërvitja më intensive ndodhi pa praninë e kamerave dhe gazetarëve.

Disa orë më vonë, u mbajt një konferencë për shtyp në qytetin e Nju Jorkut me trajnerin Jurgen Klinsmann dhe kapitenin e skuadrës Clint Dempsey.

Klinsmann, një ish-futbollist i suksesshëm gjerman dhe trajner, u bë trajneri i kombëtares amerikane në vitin 2011 dhe drejtoi ekipin në shtatë ndeshje kualifikuese për Botërorin. Ai ka besim, pavarësisht se Amerika është në të ashtuquajturin “Grupin e Vdekjes” që përfshin Gjermaninë, Portugalinë dhe Ganën.

“Është një grup shumë i vështirë. Synimi ynë është të luajmë mirë, dhe të kualifikohemi për fazën tjetër me eliminim të drejtëpërdrejtë. Ddo të na duhet ta gjejmë një zgjidhje për t’ia arritur atje. A do të jenë ndeshje të vështira? Patjetër. Por kështu e ka Kampionati Botëror.”

Clint Dempsey është një sulmues i suksesshëm dhe gëzon respektin e shokëve të skuadrës. Ai e konsideron nder të jetë kapiteni i skuadrës amerikane.

“Të marrësh pjesë në Botëror dhe të jesh kapiteni i skuadrës së vendit tënd është diçka shumë e veçantë dhe e paharrueshme. Gjatë procesit të kualifikimit të këtij Botërori, kur Jurgen më caktoi kapiten, thjesht përpiqem të udhëheq në mënyrën më të mirë që njoh unë.”

Lojtarët e tjerë u takuan gjithashtu me median dhe iu përgjigjen pyetjeve për shanset e tyre në kampionat. Ata ishin optimistë dhe mezi prisnin sfidën në Brazil. Trajneri Klinsmann u tregua realist për atë që i pret në të ardhmen.

“Pritet që Gjermania të fitojë. Nuk mendoj se ne tani presim që të fitojmë Kupën, por patjetër duam të jemi në garë sa më gjatë. Duam të luajmë mirë.”

Ndeshja e parë për ekipin amerikan është më 16 qershor, kundër Ganës, skuadrës që eliminoi amerikanët dy Botërorët e mëparshëm.


XS
SM
MD
LG