Lidhje

Slaviansk, fortifikohen barrikadat


Slaviansku në Ukrainën lindore është një nga qytetet më të mbrojtur që mbahet tani nga separatistët prorusë. Këtu, njerëz të armatosur ende patrullojnë rrugët. Barrikadat janë duke u fortifikuar .
Pavarësisht thirrjeve nga të gjitha palët në Gjenevë që protestuesit të largohen nga ndërtesat shtetërore, demonstruesit thonë se për ta nuk ka më kthim prapa.

"Slaviansku është i rrethuar nga të gjitha anët. Ushtria është kudo. Dhe ne do të qëndrojmë deri në fund. Tani ne po kërkojmë federalizim, duam të kemi një referendum, duam që njerëzit të votojnë vetë dhe ta bëjnë zgjedhjen e tyre pa trupat ruse. Por nëse diçka fillon, ne do t'i kërkojmë Rusisë të ndërhyjë për të na ndihmuar të votojmë me referendum," thotë Aleksandër, punëtor hekurudhe.

Në bisedimet e Gjenevës Rusia përsëri mohoi se ishte e përfshirë në revoltat. Por Moska tha dje se rezervon të drejtën për të dërguar trupat e saj në Ukrainë.

Ministri i jashtëm Sergi Lavrov këmbënguli se kjo nuk ishte një alternativë që Moska dëshiron ta përdorë.

"Ne nuk kemi asnjë dëshirë për të futur trupat tona të armatosura në Ukrainë, në territorin e një shteti miqësor, në territorin ku jetojnë vëllezërit tanë. Kjo është kundër interesave themelore të Federatës Ruse," tha ministri Lavrov.

Një deklaratë e përbashkët pas bisedimeve të Gjenevës u bënte thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna, frikësimet dhe veprimet provokuese.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry paralajmëroi për sanksione të tjera nëse Rusia nuk reagon.

"Ne presim që rusët, ashtu siç e thanë edhe këtu, të tregojnë seriozitet duke insistuar që separatistët prorusë, që ata kanë mbështetur deri tani, të dorëzojnë armët, të largohen nga ndërtesat dhe t'i realizojnë objektivat e tyre politike përmes procesit kushtetues që garanton marrëveshja," tha zoti Kerry.

Analistët thonë se mundësia e sanksioneve të reja qysh tani po e dëmton ekonominë ruse. Moska paralajmëroi këtë javë se ekonomia e saj mund të ketë zero përqind rritje këtë vit për shkak të krizës.

Por shumë kompani globale janë duke lobuar kundër sanksioneve, thotë Ben Kumar, analist investimesh në Londër.

"Jetojmë në epokën e globalizimit, pra sot të gjithë janë të lidhur me njeri-tjetrin. Kompanitë si BP, të gjitha kompanitë e mëdha të energjisë janë shumëkombëshe, pra nëse kërcënon lidhjet tregtare ata fillojnë të bëjnë zhurmë."

Perëndimi po i mbështet kërcënimet për sanksione me një demonstrim të forcës ushtarake. Kanadaja po dërgon gjashtë avionë luftarakë në rajon për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes së NATO-s. NATO-ja ka përjashtuar një ndërhyrje ushtarake, por thotë se këto masa synojnë të qetësojnë aleatët në Evropën lindore.
XS
SM
MD
LG