Lidhje

Slloveni: Balotazhi për zgjedhjet presidenciale


Në Slloveni po zhvillohet balotazhi për zgjedhjet presidenciale, mes pakënaqësive në rritje lidhur me shkurtimet e shpenzimeve qeveritare, që synojnë shmangien e një ndihme financiare ndërkombëtare. Në raundin e parë të votimit, muajin e kaluar, kandidati i opozitës së qendrës së majtë, ish kryeministri Borut Pahor, kryesoi ndaj Presidentit Danilo Turk.

Qendrat e votimit u hapën sërish sot në Slloveni, për balotazhin përmes të cilit do të zgjedhet presidenti i ardhshëm i vendit. Rreth 1,7 milionë votues bëjnë zgjedhjen e tyre mes presidentit në detyrë Danilo Turk dhe ish-Kryeministrit Borut Pahor, i cili kryeson në sondazhe.

Shumë prej 2 milionë banorëve të Sllovenisë janë të zemëruar me udhëheqësit e tyre, që nuk arrijnë të bashkojnë forcat dhe ta nxjerrin vendin nga kriza ekonomike. Ata janë të shqetësuar mbi masat shtrënguese ekonomike, si shkurtimet e shpenzimeve dhe rritjen e taksave, për të cilat ata thonë se dëmtojnë shtresën e varfër të popullsisë.

Mbrëmjen e së premtes, në kryeqytetin slloven Lubjana, shpërthyen protesta të dhunshme, gjatë të cilave demonstrues të zemëruar u përpoqën të kalonin kordonin e policisë për të sulmuar parlamentin. Forcat e policisë përdorën ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Gjatë përleshjeve, u plagosën të paktën 15 vetë, ndërsa 30 persona u arrestuan.

"Mendoj se gjërat do të ndryshojnë dhe do të qetësohen që nga dita e sotme, sepse tensioni ka qenë mjaft i lartë kohët e fundit dhe ky është një shqetësim i madh për ne. Mendoj se situata duhet të ndryshojë për më mirë."

Sllovenia po përballet me një nga recesionet më të rënda të 17 vendeve që përdorin monedhën euro.

Ekonomia e saj është tkurrur me më shumë se 8 për qind që nga viti 2009 dhe vazhdon të jetë në rënie, duke sjellë një ulje të ndjeshme të eksporteve dhe të standardeve të jetesës, si dhe një rritje të papunësisë, që tani është rreth 12 për qind.
XS
SM
MD
LG