Lidhje

Ekspertët hetojnë thyerjen e helikës në avionin e kompanisë Southwest


Autoritetet federale të transportit thonë se një pasagjere grua humbi jetën ndërsa disa të tjerë pësuan lëndime pasi një avion udhëtarësh, për shkak të një difekti në motorë u detyrua të bënte ulje emergjente.

Pasagjerja që humbi jetën u identifikua si Jennifer Riordan nga shteti Nju Meksiko. Drejtuesja e lartë në bankën “Wells Fargo” dhe nënë e dy fëmijëve është pasagjerja e parë që humb jetën në një aksident të linjave ajrore amerikane që nga viti 2009.

Dëshmitarët thanë se Riordan ishte tërhequr nga presioni i ajrit pothuajse tërësisht përmes një dritare së thyer të avionit të kompanisë “Southwest” që udhëtonte nga Nju Jorku drejt Teksasit, por bëri ulje të detyruar në Filadelfia.

Robert Sumwalt, Kryetar i Bordit Kombëtar për Sigurinë e Transportit, thotë se një fletë e thyer e helikës së motorit kishte tërhequr vëmendjen e hetuesve.

“Fleta e helikës ishte thyer në qendër. Shqyrtimi poraprak tregon për një dobësi të boshtit metalik ku bashkohen fletët e helikave. Kemi dërguar në laborator në Uashington foto të objektit. Këto janë gjetjet paraprake.”

Pasagjerja Amanda Bourman tregon momentet e tmerrit pas shpërthimit të motorit.

“Aeroplani kishte filluar të lëkundej ndërsa piloti përpiqej të ruante kontrollin dhe maskat e oskigjenit kishin dalë nga foletë. Sapo vura maskën, mendja të shkon se ky është fundi, këto janë momentet e fundit.”

Shefi i Bordit Kombëtar për Sigurinë e Transportit, Robert Sumwalt, thotë se regjistrimet e zërit nga kabina e pilotit do të transkriptohen sot në Uashington ndërsa fillon faza paraprake e hetimeve. Ai thotë se do të duhen të paktën 14 muaj para se hetimet të përfundojnë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG