Lidhje

Spanjë, vazhdojnë kërkimet për autorët e sulmeve terroriste


Në Spanjë, kërkimi për shoferin e një furgoni që u përplas me një turmë të Barcelonës javën e kaluar u përqendrua sot në qytetet verilindore të Ripollit dhe Manlleut.

Të dielën, në një konferencë shtypi, policia tha se kishte gjetur 120 bombola gazi dhe lëndë shpërthyese në një shtëpi, që mendohet të ketë qenë vendi ku ndërtonte bombat personi i dyshuar për sulmet e së enjtes. Policia tha se ishin gjendur materiale të mjaftueshme për të kryer të paktën një, ose më tepër sulme në Barcelonë.

Policia ngriti disa posblloqe rrugore duke shpresuar për të kapur Younes Abouyaaquoub, një maroken 22-vjeçar, që dyshohet si autor i sulmit të së enjtes, që vrau 13 vetë dhe plagosi më shumë se 100 të tjerë.

Përveç Abouyaaqoub, po kryhen kërkime edhe për dy të dyshuar të tjerë, duke përfshirë një imam të quajtur Abdelbaki Es Satty. Autoritetet besojnë se Es Satty mund të ketë radikalizuar disa nga ata që kryen sulmet.
Policia tashmë ka katër persona në paraburgim që besohet se kanë lidhje me sulmet.

Vendorët dhe të huajt u mblodhën sot në qendër të Barcelonës për të bërë homazhe për 13 njerëzit që u vranë dhe shumë të tjerë që u plagosën. Një sulm i ngjashëm në Cambrils pranë Barcelonës mori jetën e një personi tjetër.

Ricard Salvia, banor i Barcelonës tha se ky qytet dhe mbarë bota duhet të jetojnë e të vazhdojnë jenë:

“Ne nuk mund ta ndalim jetën pavarësisht nga sulmet terroriste që shohim. Shpresoj dhe dëshiroj se sulme të tilla nuk do të ndodhin më, por tani jetojmë në frikë. Sa herë që zgjohemi i drejtohemi lajmeve për të parë se çfarë ndodhi, çfarë nuk ndodhi apo çfarë mund të ndodhte, por shpresojmë dhe dëshirojmë të mos shohim më shumë sulme terroriste”, thotë Ricardi

Mbreti Felipe VI i Spanjës dhe Mbretëresha Letizia bënë një vizitë në vendin e sulmit në Las Ramblas në Barcelonë, duke vendosur një kurorë dhe dy qirinj në kujtim të viktimave.

Mbreti dhe mbretëresha, së bashku me kryeministrin Mariano Rajoy, morën pjesë gjithashtu në një meshë në bazilikën Sagrada Familia në Barcelonë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG