Lidhje

Spanja një vit pas zgjedhjeve


Spain's Election Turns on Economy
Spain's Election Turns on Economy
Një vit më parë, më 20 nëntor, Partia Popullore e Mariano Rajos fitoi me shumicë dërrmuese votash zgjedhjet parlamentare në Spanjë por tani, ajo po ndeshet me kritika në rritje nga votuesit, lidhur me mënyrën se si e trajtoi krizën ekonomike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Caroline Arbour njofton:

Kur Partia Popullore konservatore e Spanjës fitoi një shumicë absolute në zgjedhjet e përgjithshme vitin e kaluar, ekonomia e vendit ishte drejt rënies për të dytën herë në tre vjet.
Një shifër rekord prej 21,5 përqind spanjollësh ishin të papunë.

Në fjalimin e tij të parë si kryeministër i porsazgjedhur, Mariano Rajoy premtoi se do të trajtonte çështjen e papunësisë, defiçitin dhe borxhin e madh të vendit. Brenda 7 muajsh, qeveria e tij kishte bërë të njohur disa shkurtime me vlerën e 80 miliardë dollarëve, përfshirë shkurtime tek të gjitha ministritë. Qeveria e re po ashtu i liberalizoi ligjet e punës.

Rrugët dhe sheshet e Spanjës u mbushën rregullisht me protestues të zemëruar. Sindikatat kryesore dhe opozita mendojnë se qeveria është duke e shkatërruar modelin shoqëror spanjoll të suksesshëm.

Udhëheqësi i Partisë Socialiste Alfredo Rubalcaba thotë se spanjollët janë sot më keq se një vit më pare. Papunësia ka arritur në nivelin 25 përqind. Por disa njerëz argumentojnë se gjendja ka për t’u përmirësuar. Ramon Pacheco Pardo, professor për çështjet evropiane dhe ndërkombëtare në Kolegjin King të Londrës, thotë se është tepër herët të gjykohet plani i qeverisë, në se ai është i mirë, apo i keq.

“Unë mendoj se ajo që ka bërë qeveria mirë, është se ka filluar të trajtojë disa probleme afatgjata të ekonomisë spanjolle. Në anën tjetër, unë mendoj se disa nga masat, si shkurtimet në sektorin e shëndetësisë, apo në arsim, janë marrë me shumë shpejtësi.”

Ekonomisti dhe ish-inspektor i bankës, Ruben Manso Olivar, mendon se reformat dhe masat ekonomike nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Ai thotë se bankat duhet të ishin lënë të falimentonin, në vend që qeveria të kishte transferuar pasuritë e tyre në një institucion financiar të ri dhe duhet të kishte qenë më e fortë në kërkesën ndaj rajoneve autonome për t’i menaxhuar vetë shpenzimet e tyre.

Megjithëse kohët e fundit bisedimet lidhur me ndihmat financiare janë lënë mënjanë, si eksperti Ruben Manso Olivar, edhe profesori Pacheco Pardo mendojnë se Spanja të kërkojë përsëri ndihmë financiare, ndërsa kosto e huamarrjes mund të mbetet e lartë.

“Qeveria qendrore dhe ato rajonale në Spanjë nuk i kanë mjetet për të paguar borxhin. Dfiçiti i Spanjës nuk është dhe aq i lartë, kur krahasohet me vende të tjera evropiane. Problemi është se ekziston mosbesimi që qeveria spanjolle do të mund të paguajë borxhin.”

Ai thotë se ndoshta në muajt e ardhshëm do të ketë protesta të tjera, ngaqë ekonomia spanjolle nuk do të mund të përmirësohet në vitin 2013. Qeveria e Mariano Rajoy-it duket e vendosur ta ruajë kursin e nisur. Dhe duhet ta bëjë këtë, sipas ekonomistit Ruben Manso Olivar. Ai thotë se spanjollët votuan për t’i dhënë Partisë Popullore një mandat 4-vjeçar dhe se qeverisë duhet t’i jepet mundësia për të qeverisur.
XS
SM
MD
LG