Lidhje

Teknologjia robotike në ndihmë të pacientëve me dëmtime të shtyllës kurrizore


Për veteranin e luftës në Irak, Mustafa Hasan kjo teknologji është një rreze e ndritshme shprese

Studiuesit në Kanada po përdorin teknologjinë robotike të fjalës së fundit për të ndihmuar pacientë me dëmtime të kufizuara të shtyllës kurrizore në mënyrë që ata të rifitojnë aftësinë për të ecur. Për një veteran të luftës në Irak, ky studim është një rreze e ndritshme shprese:

Ragbi është një ndër sportet më të rënda fizike. Por lëndimet dhe rraskapitja trupore nuk duket se i pengojnë këta lojtarë të ekipit lokal në British Columbia të Kanadasë. Dy prej lojtarëve të ekipit përfaqësuan Kanadanë në Lojërat Paraolimpike të Londrës ku ekipi kombëtar fitoi Medaljen e Argjendtë.

Tridhjetë e një vjeçari Mustafa Hasan është një ndër lojtarët më të përkushtuar. Ai filloi të luante ragbi pasi mbeti i plagosur në Irak dhe si rezultat pësoi dëmtime të shtyllës kurrizore. Megjithëse e pranon se lodhet gjatë manovrimit të karriges me rrota, ai thotë se stërvitja i jep një ndjenjë pavarësie që e humbi pas plagosjes. Trajneri i tij, Adam Frost, shpjegon:

"E shohim që Mustafa është përmirësuar shumë në aftësitë e përditshme, është në gjendje më të mirë të jetojë në mënyrë të pavarur. Këtë e ka arritur përmes stërvitjes dhe me ndihmën e shokëve të ekipit”.

Stërvitja e ndihmon Mustafain të rrisë durimin, gjë që i shërben gjatë pjesëmarrjes në një studim për riparimin e shtyllës kurrizore në Universitetin e British Columbia-s.

Studimi synon të gjejë mënyra për rehabilitimin e shtyllës kurrizore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për pacientët me probleme të shtyllës kurrizore.

Tri ditë në javë, Mustafa Hasan merr pjesë në vëzhgime studimore të funksioneve të tij, përmes një pajisjeje që njihet si Lokomat. Ekipi studimor përpiqet që përmes teknologjisë robotike të ndihmojë pjesëmarrësit me dëmtime të kufizuara të shtyllës kurrizore dhe që kanë ende aftësi të lëvizin disa muskuj nën vendin e plagës, të rifitojnë aftësinë për të ecur.

Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në studim arrijnë të përmirësojnë të ecurin, thotë Dr. Tania Lam, një ndër specialistët e studimit:

"Një paciente që mori pjesë në studimin tonë, në fillim përdorte në pjesën më të madhe të kohës karriken me rrota, që e shtynte dikush tjetër, ose ajo vetë. Por kur përfundoi studimi, ajo pohoi se në pjesën më të madhe të kohës ecte me ndihmën e një paterice. Ishte një ndryshim i dukshëm në një individ”.

Dr. Lam thotë se ka prova në rritje se ushtrimet fizike janë një pjesë përbërëse e procesit të rehabilitimit. Pajisja Lokomat është një ndër mënyrat për të inkorporuar ushtrimet në terapinë fizike. Këto ushtrime, thotë mjekja, stimulojnë trurin dhe nxisin procesin e riparimit. Mustafa është optimist:

"Gjatë studimit të fundit, që përfshin stimulimin e gjuhës, m’u zgjuan shpresa të reja. Megjithëse nuk po ec ende normalisht, kam arritur përmirësime të mëdha. Ndoshta një ditë do të arrij të ec në mënyrë të pavarur”.

Gjatë terapisë, Mustafai mban një pajisje në gojë që i stimulon gjuhën. Dr. Lam shpjegon që kjo është një metodologji e re që synon që përmes stimulimit të gjuhës të rrisë reagimin e sistemit nervor, ndërkohë që pacienti kryen edhe aktivitet fizik.

Me kalimin e kohës, Mustafa Hasan ka arritur stabilitet më të madh gjatë qëndrimit në këmbë dhe me ndihmën e Lokomatit mund të ecë më shpejt. Tani ai është i pavarur në shumë aktivitete: gatuan vetë, pastron banesën. Por ai thotë se do të vazhdojë të shkojë në studim, për të ndihmuar në avancimin e teknologjisë që mund të ndihmojë pacientë të tjerë.
XS
SM
MD
LG