Lidhje

Shqipëria, Kosova në kërkim të talenteve sportive


Federatat e shahut të Shqipërisë dhe Kosovës po zhvillojnë një seri garash me shahistë të vegjël në përpjekje për të zbuluar talente të reja në këtë sport elitar

Federatat e shahut të Shqipërisë dhe Kosovës po zhvillojnë një seri garash me shahistë të vegjël në përpjekje për të zbuluar talente të reja në këtë sport elitar. Prizreni dhe Durrësi janë qytetet mikpritëse të këtyre ndeshjeve midis moshave deri në 15 vjeç, ku po ndihmojnë mjeshtrat më të njohur shqiptarë të kësaj fusha. Sekretarja e Federatës së Shqiprisë, Majlinda Pilinçi, thotë se “zbulimi i talenteve të reja është mëse i nevojshëm në të dy vendet”. Presidenti i federatës së shahut të Kosovës, Bashkim Vatovci, thotë se “shahisët kosovarë janë në ngritje e sipër, sidomos pas luftës”.

Një nga mbështetësit kryesorë të projekteve për zbulimin e talenteve të reja është mjeshtri i madh Erald Dervishi. Ai vetë në 1993 u shpall kampion i Europës kur ishte 13 vjeç, dhe mjeshtri i madh ndërkombëtar kur ishte vetëm 19 vjeç. Tani është përfaqësues i Shqipërisë dhe shahun e ka angazhimin e vet kryesor, krahas punës si jurist, fushë për të cilën studioi në Itali. Ende i vogël, Eraldi ishte nxënës i kampionit kombëtar Fatos Muça, dhe pjesëtar i ekipit të famshëm të Durrësit. Ai tani po përpiqet që të zbulojë dhe të mbështesë talente të reja, njëlloj si mësuesit e tij.

Një nga projektet e reja të federatës së shahut është futja e shahut në shkolla. Ministria e kulturës dhe e arsimit kanë miratuar idenë që shahu të futet qysh këtë vit në disa shkolla pilot këtë vit, dhe me financimet e Federatës Botërore të Shahut të shtrihet në të gjithë shkollat e vendit. Erald Dervishi dhe mjeshtrat e tjerë mendojnë se shahu në shkolla do të sjellë vetëm zhvillim kulturor dhe inteligjent të fëmijëve dhe do të nxjerrë prej andej të tjerë mjeshtra të mëdhenj.
XS
SM
MD
LG