Lidhje

Kufizimet ndaj medias, korrupsioni, sulmet ndaj pakicave problemet kryesore në Kosovë


Në kapitullin për Kosovën të raportit të Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, thuhet se problemet kryesore lidhur me të drejtat e njeriut ishin kufizime ndaj medias, përfshirë dhunë apo kërcënime ndaj gazetarëve; korrupsioni qeveritar dhe pandëshkueshmëria; dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike apo komuniteteve të tjera të margjinalizuara, përfshirë nga Policia e Kosovës.

“Shumë në qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe media kanë raportuar raste zyrtarësh të lartë të përfshirë në korrupsion dhe të veprojnë pa u ndëshkuar”, thuhet në raport.

Ligji parashikon dënime për korrupsion nga zyrtarët, por qeveria nuk e zbatoi ligjin me efektivitet.

“Zyrtarët disa herë u përfshinë në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Një mungesë mbikqyrjeje efektive nga gjyqësori dhe në përgjithësi dobësia e shtetit ligjor, kontribuan tek ky problem”, thuhet në raport.

Sipas raportit, sektorët qeveritarë dhe të drejtësisë ndërmorën hapa për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar ata zyrtarë që kishin bërë shkelje dhe krime por shumë prej tyre vazhduan të mbanin poste në sektorë publikë.

Sipas raportit, zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor, u konsideruan të lira dhe të drejta.

“Megjithatë fushata u shoqërua nga një prirje frikësimesh mes komuniteteve serbe të Kosovës. Disa prej tyre njoftuan se mbi ta ishte ushtruar presion që të mos mbështesnin asnjë parti tjetër përveç Listës Serbe, e lidhur ngushtë me qeverinë serbe”, thuhet në raport.

Raporti shqyrton zhvillimet e vitit 2019 dhe ka përfunduar, para se të krijohej qeveria e re.

Në raport përmendet fakti që Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë apelin përfundimtar për rastin “Drenica II” për krime lufte dhe se Prokuroria e Posaçme në Hagë vazhdoi të hetonte krimet e luftës dhe një numër në rritje u thirrën për intervista përfshirë, kryeministrin e atëhershëm Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqjen pasi u thirr.

Raporti thotë se megjithëse ligji e ndalon torturën dhe trajtimin mizor, këto ligje nuk u zbatuan me rigorozitet dhe pati akuza të vazhdueshme për keqtrajtimin e të ndaluarve.

Megjithëse kushtet në burgje dhe qendra ndalimi plotësuan disa standarde ndërkombëtare, probleme të konsiderueshme vazhduan të ekzistojnë si dhuna, korrupsioni, ekspozimi ndaj pikëpamjeve radikale fetare apo politike dhe kujdes shëndetësor nën standard.

Në raport thuhet se qeveria disa herë hetoi shkeljet dhe korrupsionin tek forcat e rendit, por mekanizmat nuk ishin shumë efektivë dhe ishin objekt i ndërhyrjeve politike.

Përsa u takon strukturave të drejtësisë ato ishin “subjekt i ndërhyrjeve politike me emërime të debatueshme dhe mandate të paqarta”.

Megjithatë gjykatat janë bërë më efiçente me numrin e madh të rasteve, falë ndihmës ndërkombëtare, por...

“Autoritetet shpesh nuk i zbatuan urdhrat e gjykatës, përfshirë ato të Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht kur ato favorizonin pakicat, si në raste të shumta për kthimin e pronave serbëve”, thotë raporti.

Në raport thuhet se dhuna qeveritare dhe shoqërore ndaj serbëve të Kosovës dhe pakicave të tjera etnike, vazhdoi dhe se këto komunitete patën pasoja edhe të diskriminimit shoqëror dhe punësimit.

"Në shtatë muajt e parë të vitit, u raportuan pak a shumë 100 incidente që kishin të bënin me vjedhje, plaçkitje, ngacmime verbale dhe dëmtime të pronave të serbëve të Kosovës dhe Kishës Ortodokse serbe", thuhet në raport.

Në raport, përmenden edhe rastet e kthimit të shtetasve turq, që qeveria turke i kishte konsidertuar si gulenistë. Raporti thotë se Kuvendi e miratoi raportin e komisionit të posaçëm për këtë çështje megjithëse pati shumë ndërhyrje dhe frikësime politike.

Në raport analizohet edhe gjendja e medias.

“Ndërsa qeveria në përgjithësi e respektoi këtë të drejtë, ka pasur njoftime të besueshme se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare dhe radikale u përpoqën të frikësojnë përfaqësuesit e mediave”.

Po ashtu media pati vështirësi për të siguruar informacion nga qeveria dhe institucionet publike, siç parashikon ligji, si edhe për të siguruar fonde për të garantuar pavarësinë.

“Gazetarët u ankuan se pronarët dhe menaxherët e mediave i penguan të botojnë ose transmetojnë raporte kritike ndaj qeverisë, partive politike apo zyrtarëve të veçantë”, thotë raporti.

Në disa raste, pronarët njoftohet se kërcënuan gazetarët se do t’i hiqnin nga puna nëse botonin raportime kritike.

Gazetarët u ankuan gjithashtu se pronarët i ndaluan të njoftonin për korrupsion të nivelit të lartë.

Përsa i takon dhunës ndaj gruas, raporti vë se gjykatat shpesh dhanë dënime më pak se dënimi minimal që parashikon ligji për përdhunimet dhe se organet e ligjit rrallë morën masa për të mbrojtur viktima dhe dëshmitarë. Po ashtu dënimet u zbutën nga Gjykata e Apelit. Po ashtu u rrit numri i vrasjeve nga dhuna në familje.

Raporti përmend gjithashtu fillimin e kompensimit për viktimat e dhunës seksuale si mjet lufte pas krijimit të komisionit të posaçëm për statusin e tyre dhe masat e tjera në këtë drejtim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG