Lidhje

Presidenti Trump përballet me sfida para fjalimit për gjendjen e vendit


Presidenti Donald Trump pranoi të hënën ftesën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi për të mbajtur fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit në Kongres në 5 shkurt. Ftesa erdhi tri ditë pasi u arrit një marrëveshje e përkohshme për t'i dhënë fund mbylljes më të gjatë të qeverisë amerikane në histori. Ndërkohë, presidenti përballet me një betejë të vështirë për të siguruar fonde për murin në kufi me Meksikën, për hetimet rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje, si dhe për një numër padish ndaj bizneseve e tij, nën akuzat se ato përbëjnë shkelje ligjore të ligjeve anti-korrupsion. Korrespondentja e Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara njofton mbi problemet me të cilat përballet presidenti Trump.

Pas rihapjes së qeverisë, Kongresi po punon për një kompromis për sigurinë kufitare. Nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje deri më 15 shkurt, presidenti Trump ka premtuar një mbyllje tjetër, ose shpalljen e një emergjence kombëtare.

"Presidenti nuk dëshiron një tjetër mbyllje të qeverisë. Ky nuk është qëllimi. Qëllimi është siguria dhe mbrojtja e popullit amerikan", tha sekretarja e shtypit, Sarah Sanders.

Edhe nëse arrihet një marrëveshje për sigurinë kufitare me demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, presidenti Trump mund të përballet me pengesa që vonojnë planet e tij legjislative.

"Bllokimi është një komponent i asaj që po ndodh. Mendoj se komponentët e tjerë kryesorë do të jenë, kaos i përgjithshëm në Shtëpinë e Bardhë. Dhe sigurisht, hetimi i Muellerit. Pa dyshim, demokratët do të angazhohen në një program të fuqishëm hetimor", thotë Steve Billet me universitetin George Washington.

Javën e kaluar, miku dhe këshilltari i zotit Trump, Roger Stone, u bë figura e gjashtë kryesore e njerëzve të afërt të presidentit që u akuzua penalisht nga prokurori i posaçëm Robert Mueller në kuadër të hetimeve për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Roger Stone u akuzua se gënjeu në Kongres për rolin e tij si një ndërmjetës mes ekipit të zotit Trump dhe faqes së internetit Wikileaks, e cila publikoi emailet e fushatës së zonjës Clinton që u vodhën nga Moska.

"Unë jam akuzuar gabimisht për deklarata të rreme gjatë dëshmisë sime në Komisionin e Inteligjencës në Kongres. Kjo nuk është e drejtë. Çdo gabim në dëshminë time nuk mund të shërbejë si provë material dhe ka qënë i pa qëllimtë", tha zoti Stone.

Ndërkohë, hoteli “Trump International” po përballet me një numër çështjesh ligjore që pretendojnë se fitimet nga zyrtarët e huaj shkelin klauzolën kundër rryshfeteve, apo përfitimeve nga posti publik.

"Arabia Saudite organizon një pritje në hotelin “Trump International” dhe presidenti e di këtë. Kjo ngre shqetësimin që hartuesit, autorët origjinalë të Kushtetutës, kishin. A janë qeveritë e huaja duke favorizuar presidentin, duke i dhënë atij dhurata përmes pagesave për shpenzimet e hotelit? " thotë Robert Weismann, i organizatës "Qytetari Publik".

Presidenti Trump i mohon akuzat. Avokatët e tij argumentojnë se ka shumë arsye pse qeveritë e huaja do të duan të qëndrojnë në hotelin “Trump International” dhe është e vështirë të provohet se janë duke e bërë këtë për si favor ndaj tij.

Me këto probleme në horizont, presidenti Trump pritet të mbajë fjalimin e tij të dytë mbi gjendjen e vendit më 5 shkurt.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG