Lidhje

TAP një ngjarje e madhe për ekonominë shqiptare


Intervistë me drejtorin e projekteve në ministrinë e ekonomisë, Stavri Dhima.

Lajmi për miratimin e projektit TAP mbi transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt Italisë u prit me entuziazëm në Tiranë. Drejtuesi i zyrës rregullatore e menaxhuese për projektet dhe kontratat në ministrinë ekonomisë dhe energjisë, Stavri Dhima, tha se ky është një lajm i madh për ekonominë shqiptare.

Sipas tij, projekti TAP kalon në 3 qarqe, 38 bashki e komuna nga Korça, e Berati në Fier dhe puneson mbi 20 mijë punëtorë e specialistë në ndërtimin që transpotron fillimisht 10 miliardë metër kub gaz, e më pas dyfishin. Terreni shqiptar ofron edhe depozitim nëntokësor në zonat Kuçovës dhe Dumresë deri në 2 miliardë metër kub gaz.

Pjesa dërrmuese e gazit që do të mbetet në Shqiperi, do të përdoret si lëndë djegëse për prodhimin e energjisë elektrike për metalurgjinë, TEC-et dhe biznese te tjera.

Intervistë me z. Stavri Dhima për TAP
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:29 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Dhima! Si po pritet dhe çfarë shënon për Shqipërinë lajmi se projekti TAP u miratua?

Stavri Dhima: Ky është një lajm i madh. Kjo shënon një nivel të ri të ekonomisë, të energjitikës shqiptare dhe të shtetit shqiptar. Shqipëria bëhet kështu pjesë e një zinxhiri të ekonomisë dhe të energjisë botërore, gjë që shënon edhe vlerësime të tjera siç është siguria, qëndrueshmëria, aftësia për të marrë pjesë dhe për të menaxhuar projekte të tilla. Miratimi i projektit TAP përbën një bazë dhe një siguri për investitorët e tjerë, të cilët do të kryejnë punë të tjera, lidhur me TAP me shpërndarjen e gazit apo edhe në fusha të tjera, pasi kanë marrë sigurinë që në këtë vend ekzistojnë projekte të mëdha.

Zëri i Amerikës: Cilat janë përmasat e projektit dhe të ndërtimit?

Stavri Dhima: Projekti TAP ka një gjatësi 870 kilometra në tërësi, nga të cilat 206 km janë në territorin shqiptar në tokë që nga hyrja në zonën e Bilishtit dhe dalja në zonën e Semanit, rreth 60 km janë në pjesën shqiptare të detit dhe drejt Italisë. Pra është një pjesë rreth 266-269 km që shtrihen në territorin shqiptar tokë dhe det.

Zëri i Amerikës: Cili është itinerari i ndërtimit të TAP?

Stavri Dhima: Ndërtimi kalon nga Bilishti, ku ka edhe një stacion kompresorësh, nga zona malore mes Korçës dhe Skraparit, Poliçan Çorovodës, nga lugina e lumit Osum, duke zbritur në afërsi të qytetit të Beratit, Otllakë, Ura Vajgurore, Roskovec në qarkun e Fierit, dhe duke dalë në zonën e Semanit e drejt Italisë në Leçe.

Zëri i Amerikës: A mund të jepni disa detaje për kapacitetet transportuese?

Stavri Dhima: Kapaciteti transportues është 10 miliardë metër kub, ose 10 milionë bcm. Ky është kapaciteti fillestar, por mundësia e projektit, dimensionet e tubacionit, stacionet e kompresorëve janë edhe për dyfishin e transportit, pra deri në 20 miliardë metër kub drejt Italisë. Terreni shqiptar ofron edhe depozitim nëntokësor për ruajtje dhe përdorim të mëvonshëm të gazit në zonat e Kuçovës dhe Dumresë deri në 2 miliardë metër kub gaz, në puset e vjetra të naftës apo në shtresa kripore.

Zëri i Amerikës: Sa gaz do të mbetet në Shqipëri?

Stavri Dhima: Ministria e ekonomisë, tregtisë dhe energjisë ka nënshkruar marrëveshje me dy nga aksionerët aktualë të TAP-it që janë kompania zvicerane AXPO për lënien në Shqipëri të një sasie gazi prej 250 milionë metër kub dhe me kompaninë gjermane E-on Rhurgaz e cila do të lërë në Shqipëri rreth 500 milionë metër kub gaz. Në total do të lihen në Shqipëri rreth 750 milionë metër kub gaz, e cila është një sasi e konsiderueshme për fazën e parë. Me rritjen e kërkesave të tregut për këtë gaz patjetër do të shtohen edhe sasi të tjera. Sasia më e madhe e këtij gazi do të përdoret si lëndë djegëse për të prodhuar energji elektrike në TEC-et e Fierit e Vlorës, metalurgjisë dhe industrive të tjera.

Zëri i Amerikës: A ka shpërndarje tjetër nga Shqipëria?

Stavri Dhima: Në Seman do të ndërtohet një pikë gërshetimi e shumë rrjeteve, ku mendohet të lidhet edhe projekti që do të shkojë nga Shqipëria drejt Kroacisë, siç quhet projekti Jonian Adriatik. Kemi paraqitur në Bruksel dhe në sekretariatin e energjisë edhe projektin e lidhjes me një rrjet gazsjellësi mes Shqipërisë dhe Kosovës, direkt apo përmes Maqedonisë, i cili mund të shkojë më pas edhe në Serbi.

Zëri i Amerikës: A ka filluar të mobilizohen pushteti vendor dhe firmat e ndërtimit në trajektoren e projektit për të punësuar teknikë, inxhinierë, punëtorë?

Stavri Dhima: Në total mendohet se këtu mund të jenë të angazhuar mbi 20 mijë punëtorë, të cilët mund të ndryshojnë në faza të ndryshme. Pa përmendur rrugët kombëtare ekzistuese, do të ndërtohen rreth 110 kilometra rrugë të reja apo të rindërtuara totalisht në shërbim të TAP-it, rrugë të projektit, rrugë të kantierit nga do të kalojnë pajisjet, ku do të bëhen montimet paraprake. Nuk po përfshijmë në këtë pasqyrë strehimin dhe ushqimin e mijëra punëtorëve, transportin e qindra kilometra tuba, gërmimin e mijëra tonelata dhera. është realisht një projekt i përmasave të papara. Në një emër të vetëm TAP ka kaq shumë punë, kaq shumë volum, dhe është investim i madh.
XS
SM
MD
LG