Lidhje

Gjykata: Praktika e policisë së Nju Jorkut, antikushtetuese


Një gjykatëse federale vendosi se Departmenti i Policisë së Nju Jorkut ka shkelur të drejtat e dhjetëra mijëra njerëzve duke diskriminuar qëllimisht kundër pakicave racore me anë të taktikës së diskutueshme të "ndalimit dhe kontrollit" të personave. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg e kundërshton këtë vendim dhe thotë se ndalimi nga policia vepron si një frenues ndaj krimit.

Gjykatësja federale Shira Scheindlin vendosi se taktika e policisë së Nju Jorkut shkel të drejtat kushtetuese të pakicave për shkak të mundësisë së përzgjedhjes së njerëzve të cilët ndalohen për t’u marrë në pyetje ose për t’u kontrolluar për armë apo lëndë kontrabandë.

Vendimi i gjykatëses Scheindlin erdhi pas një padie në grup kundër departamentit të policisë e paraqitur nga aktivistët e të drejtave civile.

"Një brez i tërë njujorkezësh, veçanërisht në komunitetet e afrikano-amerikanëve dhe hispanikëve në të gjithë qytetin janë rritur duke e parë policinë, jo si mbrojtëse, jo si partnere në siguri, por si një institucion prej të cilit duhet patur frikë. Kjo nuk duhet të kishte ndodhur aspak dhe nuk duhet të ndodhë tani. Arsyeja e betejës sonë është të kërkonim përgjegjësi nga Policia e Nju Jorkut. Ato që na kanë sjellë deri këtu janë praktikat policore diskriminuese të administratës Bloomberg si dhe moskuptimi prej tyre i problemeve që krijojnë këto praktika. Ne jemi të kënaqur që në këtë rast mbizotëroi drejtësia", thotë aktivistja Priscilla Gonzales.

Policia thotë se me anë të praktikës, e njohur si “stop and frisk”, ka bërë rreth 5 milionë ndalesa të personave gjatë dekadës së kaluar. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg thotë se mundësia për t’u ndaluar nga policia vepron si një frenues jetik ndaj krimit.

"Ne shkojmë vetëm atje ku njoftohet një krim dhe ku njerëzit i përshtaten përshkrimit ose ku oficeri i policisë sheh diçka që duket e dyshimtë. Në mendojmë se është gjithashtu e vërtetë se kjo shërben si pengesë për të rinjtë për të mbajtur armë, sepse ata e dinë se në qoftë se do të ndodheshin në një zonë ku është kryer një krim dhe i përshtaten afërsisht përshkrimit të autorit, që përgjithësisht është mjaft i përgjithshëm, ata mund të ndalohen dhe në atë rast nuk do të donin të kishin armë me vete.''

Zoti Bloomberg e quajti vendimin e gjykatëses Scheindlin "të rrezikshëm" dhe tha se bashkia e Nju Jorkut do ta apelojë atë.

Gjykatësja nuk vendosi që t’i jepej fund kësaj praktike, por urdhëroi që një trup monitorimi të mbikëqyrë përdorimin e saj.
XS
SM
MD
LG