Lidhje

Strategjia për Ukrainën


Kriza mes Lindjes dhe Perëndimit lidhur me Ukrainën po ndiqet me kujdes në Evropë dhe në mbarë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët po përpiqen t’i bindin vende të ndryshme të botës, që t’i modifikojnë politikat e tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Al Pessin na dërgon këtë kronikë nga Kievi:


Zyrtarët amerikanë shkojnë në vende të ndryshme të botës për të siguruar mbështetje për një sërë çështjesh, nga lufta civile në Siri, tek planet e Kinës për ishujt e Paqësorit, programi bërthamor i Iranit dhe çështje të tjera.

Megjithatë, disa analistë besojnë se përgjigja e Perëndimit ndaj veprimeve të Rusisë në Ukrainë i ka minuar këto përpjekje.

Olexiy Haran është professor për politikat krahasuese në Universitetin “Kyiv-Mohyla Academy”.

"Si mund t’i bindësh shtetet me ambicie bërthamore si Irani, Koreja e Veriut, që të heqin dorë nga armët bërthamore dhe në këmbim të çfarë? Ata e shohin se në Ukrainë këto garanci nuk funksionuan.”

Profesor Haran thekson se Rusia ishte një nga garantuesit e sovranitetit të Ukrainës, dhe pastaj ajo aneksoi Krimenë dhe destabilizoi Ukrainën lindore.

"Ne presim një reagim të fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtar, sepse veprimi i Moskës minon të gjithë sistemin e sigurisë që ekziston tani në Evropë.”

Ndërsa Russia ka përdorur forcën ushtarake në Ukrainë, Perëndimi i është përgjigjur me mjete më të buta: diplomaci dhe sanksione ekonomike. Analistja e politikave amerikane Xenia Dormandy në institutin Chatham House, në Londër, thotë se kjo është perceptuar në mbarë botën si një përgjigje e dobët.

"Ky është një mesazh tepër i rrezikshëm, sepse çdo situatë është e ndryshme. Kështu ndodh që njerëzit e kalojnë vijën e kuqe dhe për shkak të kësaj paqartësie mund të ndodhin konflikte.”

Analistja Dormandy thotë se përgjigja e butë nuk është edhe aq e dobët sa mund të duket.

"Në mënyrë absolute jo. Me kalimin e kohës, përgjigja do të ketë pasoja të rëndësishme tek ekonomia ruse.”

Disa prej këtyre pasojave janë duke u ndjerë. Presidenti rus Vladimir Putin ka filluar ta distancojë veten nga militantët në Ukrainën lindore, të paktën zyrtarisht.

Megjithatë, analistët janë të një mendimi se aneksimi i Krimesë ndoshta nuk mund të zhbëhet dhe vazhdon të mbetet rreziku që Rusia të pushtojë Ukrainën lindore.

Pra, ndonëse vendet e tjera janë duke u përpjekur të zbulojnë mësimet që dalin nga kriza në Ukrainë, mund të jetë ende herët për të kuptuar se cilat janë ato.
XS
SM
MD
LG