Ende është e paqartë se sa studentë amerikanë do të kthehen në shkolla dhe universitete për të filluar vitin e ri akademik. Por në një situatë edhe më të paqartë ndodhen studentët e huaj.
Ky është Universiteti Katolik Amerikan në veri-lindje të Uashingtonit, ku studentja ruse Liza Britova planifikon të vijë në gusht, nëse merr vizë brenda afatit.
“Aktualisht, përveç stjuardesave që nuk kanë nevojë për intervistim, konsullata amerikane në Moskë nuk lëshon viza. Për momentin nuk e dimë se kur do të vazhdojnë intervistimet”, tha ajo.
Studenti ukrainas Oleksii Antoniuk është pranuar në universitetin Yale dhe pret të fillojë studimet në vjeshtë.
Edhe për të viza është me rëndësi.
“Intervista ime për vizën ishte caktuar për datën 8 korrik, por ndryshoi në mes të qershorit për shkak të pandemisë. Unë e shtyva për në 3 gusht, që ishte mundësia e parë”, tha ai.
Antoniuk fitoi bursë të plotë për studime në SHBA. Ai është pjesë e një programi që ndihmon studentët e talentuar duke u dhuruar bursa për universitetet më të mira. Në vitin 2020 përfituan vetëm 31 studentë.
Nëse nuk pajisen me vizë, ata humbin një total bursash prej 7 milion dollarësh.
“Askush më herët nuk është përballur me situatë pandemie, prandaj universitetet duhet të rishqyrtojnë vendimet, t’u mundësojnë studentëve që këto bursa të shfrytëzohen vitin që vjen. Por, përvojat e kaluara na tregojnë se nëse studenti nuk arrin të marrë vizën, bursa humbet”, tha Yulia Lemesh, bashkëthemelusese e programit “Ukraine Global Scholars”.
Një çështje tjetër e rëndësishne për studentët e huaj është formati i studimeve. Nëse universitetet aplikojnë mësimin online, studentët nuk do të pajisen me viza, sipas vendimit të zyrtarëve të emigracionit dhe doganave.
“Departamenti amerikan i mbrojtjes nuk do të lëshojë viza për studentët që aplikojnë për shkolla ose programe që janë plotësisht online gjatë semestrit vjeshtor. As dogana amerikane as mbrojtja kufitare nuk do t’i lejojë këta studentë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në vendim.
“Para se studenti të aplikojë për vizë, shkolla i dërgon dokumentin I-20. Ata aplikojnë për vizë me atë dokument. Shkolla duhet të vërtetojë se mësimi nuk është vetëm online ose se do të mbahet në klasa”, tha Joann Ng Hartmann nga Shoqata e Edukatorëve Ndërkombëtarë.
Ky vendim prek edhe studentët që kanë viza studentore të vlefshme. Nëse universitetet fillojnë vetëm mësim online, atyre u duhet të largohen nga ShBA. Harvardi dhe Instituti për Teknologji në Masaçusets e kundërshtuan rregullin e ri duke paditur administratën Trump.
Studentët thonë se për ta është më fitimprurëse të mbajnë klasa online nga kampuset universitare sesa në vendet e origjinës.
“Dallimi në kohë ndikon shumë sepse disa klasa fillojnë në mëngjes ndërsa disa tjera në mbrëme. Në Moskë i bie të jetë mesnatë ose 2 e mëngjesit, pra për mua nuk funksionon”, tha Liza Britova, studente ruse.
“Jeta në kampus është pjesë e rëndësishme e studimeve. Nëse më duhet të bisedoj me një professor, mund ta bëj shumë lehtë nëse jetoj afër ose në kampus”, tha Oleksii Antoniuk, student ukrainas.
“Nëse keni mundësinë që të vijoni studentimet online dhe nëse kjo funksionon për ju, unë do t’u inkurajoja ta bëni atë. Dhe pastaj kur gjërat të kthehen në normalitet, kthehet edhe mundësia që ju të përjetoni universitetin”, tha Joann Ng Hartman nga radhët e Shoqatës së Edukatorëve Ndërkombëtarë.
Universitetet thonë se mezi presin të shohin studentë të huaj ashtu si vitin që shkoi. Njëkohësisht ata po përmirësojnë programet online duke marrë në konsideratë që studentët ndodhen në shumë pjesë të botës.
“Nëse ofrohen mundësi të sinkronizuara, studentët mund të zgjedhin orën e ligjeratës ose t’i inçizojnë ato. Kjo do të ishte gjë e mirë. Do të ketë forume duskutimi. Pra në vend të diskutimit sy më sy, ju shtroni pyetje dhe jepni ide. Pastaj studentët pyeten dhe merren përgjigje nga ta”, tha Dulce Dorado, Drejtor i zyrës për studime ndërkombëtare në Universitetin e San Diegos.
Çdo vit SHBA pret rreth një million studentë të huaj. Ekonomia amerikane përfiton rreth 41 milion dollarë në vit nga ky kontingjent studentësh.
Facebook Forum