Lidhje

Suedia, ndryshim drejt së djathtës


Dikur e njohur si shoqëri tolerante dhe e hapur, Suedia po përjeton një ndryshim të dukshëm drejt së djathtës. Demokratët e Suedisë, të cilët i kanë rrënjët në lëvizjen neo-naziste, dolën të tretët në zgjedhjet e muajit maj për Parlamentin Evropian me një platformë anti-emigrante.

Ashtu si shumë parti të së djathtës në Evropë, Demokratët e Suedisë dikur kanë bërë fushatë të fuqishme për daljen nga Bashkimi Evropian.

Tani ata e kanë braktisur këtë politikë, duke dhënë si arsye kaosin e shkaktuar me largimin e Britanisë. Henry Ridgwell ishte në qytetin Hörby, një nga bazat e demokratëve të Suedisë.

Hörby i ngjan shumë qyteteve të tjera provinciale të Suedisë: një shesh tregu, një kishë dhe përtej lagjeve periferike, ferma dhe fusha. Një zonë e qetë e Skandinavisë.

Por nën sipërfaqe vlojnë tensionet. Hörby është i vetmi qytet suedez që ka zgjedhur një kryebashkiak nga partia e ekstremit të djathtë, Demokratët e Suedisë, e cila kërkon kufizime të forta mbi imigracionin dhe shkurtime drastike në shpenzimet qeveritare për emigrantët.

Niclas Nilsson - udhëheqës rajonal i partisë - thotë se kjo zonë ka pranuar një numër të madh emigrantësh për shkak të vendndodhjes së saj në jug të Suedisë.

"Njerëzit janë të shqetësuar për koston, stabilitetin shoqëror, krimin, dhe ndarjet racore", thotë Nilsson.

Mbështetësit thonë se partia thjesht po u tregon njerëzve të vërtetën.

"Sot ka imigrantë kudo që të hidhni sytë. Shumë prej tyre janë të mirë, por ka shumë që merren me drogë, sulme dhe vandalizma", thotë Tobias Lindblad, banor i Hörby-t.

Enes Mehmedagic u zhvendos në Hörby kur ishte djalë i ri, prindërit e tij ikën nga Kroacia gjatë luftrave ballkanike të viteve 1990. Ai ka një vështrim shumë të ndryshëm:

"Emigracioni dhe emigrantët janë viktima. Në Suedi, gjithmonë ka pasur shumë imigrim, por sidomos në një qytet si Hörby, ai është më i dukshëm se kudo", thotë ai.

Caroline Johansson drejton gazetën e qytetit. Ajo thotë se debati për imigracionin është i ekzagjeruar dhe se mbështetja për të djathtën e skajshme lidhet më tepër me çështjet lokale:

"Për shembull, ne nuk duam një shesh të ri në qytet. Tani ai u bë dhe duket mirë, por ne do të donim gjëra të tjera."

Por ka edhe çështje të tjera më të mëdha. Demokratët e Suedisë dikur bënin fushatë të fuqishme për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Partia e ndryshoi politikën e saj në janar të këtij viti.

"Jehona mjaft negative rreth çështjes Brexit dhe problemet e tjera mendoj se kanë luajtur rol. Por edhe fakti që partitë si kjo jona po rriten në përmasa kudo në Evropë tregon se ne mund ta ndryshojmë BE-në nga brenda", thotë Niclas Nilsson.

BE-ja subvencionon bujqësinë në të gjithë Evropën dhe braktisja e bllokut do të kishte pasoja të mëdha për njerëz si Patrick Hanson, i cili drejton një fermë blegtorie pak kilometra jashtë Hörby-t:

"Fitimi për mua vjen nga financimi i BE-së. Prandaj unë nuk dua t’i humbas këto para."

Tensionet mbi migracionin, mbi BE-në dhe demokracinë po shfaqen këtu në Hörby por edhe në të gjithë Evropën, ndërkohë që kontinenti lufton për identitetin dhe të ardhmen e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG