Lidhje

Polemika për dramën Sulejmani i Madhërishëm


Turqia po përjeton një betejë disi të pazakontë mes autoriteteve dhe një programi argëtues televiziv. Aktualisht në Turqi po shfaqet telenovela Shekulli i Madhërishëm, për sulltanin më të famshëm turk – Sulejmanin e Madhërishëm. Drama historike televizive ka pasur sukses jo vetëm në Turqi, por edhe në Ballkan e Lindjen e Mesme. Por siç njofton Dorian Jones, kryeministri e konsideron këtë serial thjesht si një herezi historike.

Roxelana legjendare me një pekt provokues, josh Sulltanin Sulejmani i Madhërishëm. Ky është një ndër episodet e dramës televizive Muhtesem Yuzyil – ose Shekulli i Madhërishëm – një telenovelë historike turke. Skenaret plot intriga në mjediset e Haremit, mes konkubinave rivale të sulltanit dhe rivaliteti politik në Oborrin mbretëror e kanë bërë këtë një realizim shumë të suksesshëm. Por kryeministri Recep Tayyip Erdogan nuk e pëlqen telenovelën:

Ai thotë se Sulltan Sulejmani që portretizohet në telenovelë nuk i përngjet sulltanit që njeh ai nga librat. Personazhi televiziv nuk është sundimtari që kaloi 30 vjet hipur mbi kalë dhe jo në pallate, siç thuhet në telenovelë. Kryeministri ka kritikuar hapur regjisorët dhe pronarët e stacionit televizv.

Ai u ka kërkuar autoriteteve të hapin hetime mbi programin, megjithëse nuk është e qartë se cilat ligje mund të jenë shkelur. Por Cengiz Aktar, politilog dhe kontribues për gazetën Taraf, thotë se historia nuk është në anën e kryeministrit puritan:

"Si njeriu më i fuqishëm në Turqi, ashtu si udhëheqësit më të fuqishëm kudo në botë, ai po përpiqet ta rishkruajë historinë sipas bindjeve të tij, për t’i prezantuar këta individë si perandorë tepër të pastër që vetëm luten, drejtojnë perandorinë dhe bëjnë mirësi. Ky portretizim s’ka asnjë lidhje me historinë. Ashtu si gjithë udhëheqësit në botë, perandorët turq kishin shumë gra dhe jetonin mes luksit”.

Ballafaqimi mes njeriut më të fuqishëm të Turqisë dhe telenovelës më të suksesshme po diskutohet gjerësisht në media. Por pjesa më e madhe e aktorëve dhe producentëve nuk kanë bërë komente. Ata e kanë të qartë se e ardhmja e programit mund të jetë në pikëpyetje. Aktorja Nebahat Cehre shprehet:

Ajo thotë se nuk mund të ketë censurë mbi krijimtarinë artistike. Shekulli i Madhërishëm është thjesht dramë televizive, thotë ajo. Fëmijët duan të njihen me historinë e vendit, dhe përditë po dalin libra të rinj për këtë periudhë historike.

Fakti është se qëkur kryeministri iu kundërvu telenovelës, shikueshmëria ka arritur shifra të reja rekord. Por një ndër deputetët e afërt me kryeministrin është zotuar të propozojë një projekt-ligj për mbrojtjen e imazhit të figurave historike të vendit.

Ky lajm u perhaps me shpejtësi në rrugët e Stambollit. Në orët e vona të pasdites, kur njerëzit kthehen nga puna dhe përgatiten për një episod tjetër të telenovelës, komentet e tyre shfaqin nota zemërimi dhe indinjate:

"Asnjeri nuk të detyron ta ndjekësh. Por nuk është për t’u çuditur që kryeministri e interpreton si i do qejfi. Të nxjerrësh ligje kundër programeve televizive është qesharake, por është një prej okupimeve të parlamentit tonë. Nuk e di cilët parlamente të tjerë nxjerrin ligje kundër programeve televizive. Kjo është absurde”.

Telenovela Shekulli i Madhërishëm, ashtu si vetë Sulejmani i Madhërishëm, mund t’i takojë së shpejti së kaluarës, ndërkohë që qeveria turke shprehet haptazi se historia e vendit është tepër e rëndësishme dhe nuk mund t’u lihet dorë e lirë për interpretim emisioneve televizive. Por kritikët shprehen të shqetësuar se ka filluar të dëgjohet në korridoret e dikastereve shtetërore në Ankara tingulli i penës që po shkruan historinë e rishikuar dhe të sterilizuar të Turqisë.
XS
SM
MD
LG