Lidhje

Media amerikane: Pezullohen sulmet në Pakistan


Qeveria e Pakistanit u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të ndalin goditjet me avionë të telekomanduar kundër personave të dyshuar si terroristë, ndërkohë që Islamabadi vazhdon negociatat me talebanin pakistanez. Sipas një artikulli të gazetës Washington Post, Uashingtoni ka rënë dakord të përmbushë kërkesën e Islamabadit.

Grupe mediatike amerikane thonë se përdorimi i avionëve të telekomanduar në Pakistan ka rënë në mënyrë dramatike. Administrata Obama nuk ka ndërmarrë sulme me avionë pa pilotë në Pakistan që nga dhjetori.

Kjo fazë përbën ndërprerjen më të gjatë të këtij aktiviteti në Pakistan që nga pezullimi gjashtë javësh në 2011.

Gazeta Washington Post citon zyrtarë amerikanë sipas të cilëve qeveria pakistaneze ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të tregohen të rezervuara, ndërkohë që Islamabadi vazhdon bisedimet e paqes me Talebanin në Pakistan.

“Këtë kërkuan dhe ne nuk u thamë ‘Jo’,” citohet nga gazeta një burim zyrtar i paidentifikuar.

Në komentet për shtyp, zyrtarët amerikanë nuk kanë konfirmuar ndalimin e sulmeve, apo ndonjë lidhje me kërkesën e Pakistanit.

Dan Feldman, Zëvendës Përfaqësues Special i Departamentit të Shtetit për Afganistanin foli me Shërbimin e Zërit të Amerikës në gjuhën urdu:

“E vetmja gjë që mund të them është se nuk mund të komentojnë për hollësi mbi operacionet, sidomos për zëra të tillë. Por presidenti ka bërë përpjekje të mirëfillta për t’i dhënë një përkufizim më të mirë këtij programi”.

Kryeministri i Pakistanit Nawaz Sharif kishte në plan të fillonte bisedimet e paqes me Talibanin pakistanez në nëntor të vitit të kaluar, por planet u anuluan kur një goditje me avion të telekomanduar amerikan la të vrarë një komandant të lartë të Talebanit, Hakimullah Mehsud.

Një anëtar i Asamblesë Kombëtare të Pakistanit, Sheik Rohail Asghar, tha për Shërbimin e Zërit të Amerikës në gjuhën urdu se pezullimi i sulmeve të telekomanduara është i mirëpritur.

Bisedimet e fundit të paqes u ndërprenë si rezultat i një goditjeje me avion të telekomanduar, thotë ai, dhe kur bisedimet rifilluan Pakistani këmbënguli se nuk duhet ndërmarrë asnjë incident që do ta minonte procesin. Zoti Asghar thotë se nëse Shtetet e Bashkuara e kanë marrë seriozisht këtë çështje, i vjen mirë që Pakistani e ka argumetuar me sukses qëndrimin e tij.

Një zëdhënës i Pentagonit nuk pranoi të konfirmonte nëse janë pezulluar goditjet. Koloneli Steve Warren la të kuptohej se Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme për goditje ndaj atyre që kërcënojnë interesat amerikane.

“Politika jonë mbetet e pandryshuar, ne do të vazhdojmë t’u përgjigjemi kërcënimeve ndaj sigurisë amerikane”.

Kryeministri pakistanez Nawaz Sharif ka thënë se kërkon pezullimin një herë e mirë të goditjeve me avionë të telekomanduar.
XS
SM
MD
LG