Lidhje

Surroi: Kosova ndodhet në krizë dhe pa konsensus politik


Surroi: Kosova ndodhet në krizë dhe pa konsensus politik
Surroi: Kosova ndodhet në krizë dhe pa konsensus politik

Shefi i Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi, tha sot se klubi i tij nuk synon rrëzimin e institucioneve të Kosovës, por mbështetjen e proceseve politike në një periudhë të vështirë për vendin.

Një pjesë e medieve në Kosovë, publikuan këto ditë ,siç u tha, një plan të shoqërisë civile, për rrëzimin e Presidentit dhe Qeverisë së Kosovës. Në atë plan parashiheshin fushata informative, protesta dhe veprime tjera “për shprehjen e organizuar të pakënaqësisë dhe mospajtimit qytetar me zhvillimet e fundit politike, të cilat e shkelin vullnetin qytetar dhe kushtetutën e vendit”.

Mediat shkruan se “Klubi për Politikë të Jashtme i Veton Surroit përveç si kritikues i ashpër ndaj pushtetit në Kosovë, javëve të fundit ka hartuar plane konkrete për demonstrata që, si qëllim përfundimtar do të kishin edhe rrëzimin e koalicionit qeverisës”. Kjo u cilësua si një komplot.

Zoti Surroi në një bisedë për Zërin e Amerikës, thotë se kjo nuk ka të bëjë me Klubin e tij, ndërsa veprimtarët e shoqërisë civile në këshillimet e tyre të rregullta, kanë këmbyer letra në kuadër të diskutimeve se çfarë duhet të jetë, siç thuhet, përgjigja ndaj shkeljes së kushtetues dhe ndërtimit jodemokratik të institucioneve.

“Prej një konsultimi të atillë që është bërë, ma merr mendja jo shume obligativ, në fjalorin e puçit, të rebelimeve etj. ka eskaluar kjo çështje në një pikë të krijimit të idesë së komploteve që nuk i përket një shoqërie demokratike”, tha zoti Surroi.

Ai pranon se Klubi i tij, është kritik ndaj institucioneve, në funksion të mbështetjes së proceseve politike, por nuk ka mandat për rrëzim institucionesh. Ai thotë se Klubi synon të nxisë debate në një kohë kur siç thekson ai, “kriza e legjitimitetit do të jetë edhe me emocionale sesa që është tani. Në këtë krizë e cila do të jetë shumë emocionale, do të jetë mirë të anashkalohen veprime apo kualifikime, siç janë: puçe, rebelime, komplote etj, sepse janë pjesë e një mentaliteti krejtësisht jodemokratik. Nuk flet mirë, jo vetëm për shoqërinë në tërësi përdorimi i fjalës komplot, apo rebelim, por flet aq më keq për ata që shtrojnë këso akuzash. Imazhi i Kosovës edhe ashtu është në dëmtim e sipër dita më ditë, e nuk ka nevojë Kosova për më shumë refleksione negative siç janë, asociimet e vrazhdësisë së fjalorit të periudhave të monizmit”.

Kosova, sipas zotit Surroi ndodhet në një periudhë të vështirë dhe të mungesës së konsensusit politik për tejkalimin e kësaj gjendjeje.

“Kemi procesin negociator me Serbinë i cili ka filluar keq. Ka filluar keq, sepse shqiptarët nuk janë bërë bashkë për të krijuar një platformë. Nuk po flas që Kosova nuk është bërë bashkë, por shqiptarët nuk janë bërë bashkë në Kosovë, e lëre më të bëhen të gjithë të tjerët. Dhe kemi tash edhe një seri problemesh ekonomike të cilat janë maja e ajsbergut. Kosova gjendet në një cikël negativ ekonomik në balancimin e buxhetit. Siç shihet, tash po hyjmë në një fazë ku mund të ndodhë edhe konfrontimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, mund të ndodhë konfrontimi me donatorët ndërkombëtarë dhe krejt kjo, nuk flet mirë për qëndrueshmërinë e një shoqërie demokratike e as për qëndrueshmërinë e stabilitetin në vend”.

Zoti Surroi thotë se hyrja në bisedime me Serbinë pa hedhur kuadrin e këtyre bisedimeve, nuk do t’i sjell përparim Kosovës e cila në vjeshtën e këtij viti nuk do të ketë përparim në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian. Në vjeshtën e këtij viti, thotë ai, “Kosova mund të jetë në situatë në të cilën Beogradi do të jetë i legjitimuar si palë pa të cilën nuk mund të lëvizë asgjë në Kosovë dhe për më tepër Beogradi mund të legjitimohet si një vend më afër Bashkimit Evropian”.

“Në vjeshtën e këtij viti, tri shoqëritë ku ekziston autoktonia shqiptare më e fortë, pra Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia do të jenë në vendnumërim, përderisa Serbia mund të ecë përpara. Kosova me këtë është duke i bërë një disfavor vetvetes, sepse nuk e ka projektuar interesin e vet në procesin negociator, gjë që ndodhë për herë të parë në njëzet vitet e fundit, prej se Kosova në pluralizëm merret me procese negociatore”, tha zoti Surroi.

Bisedimet tashmë kanë filluar dhe ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian p përgatisin takimin e dytë. Autoritetet në Kosovë shprehen të bindur se ky proces do të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë të Kosovë dhe Serbisë dhe anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG