Lidhje

Erdogan: Konfiskuam pajisje ushtarake


Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan tha se ngarkesa që u konfiskua në një aeroplan pasagjerësh, i cili kreu ulje të detyruar në Ankara, përmbante pajisje ushtarake dhe municione për qeverinë e Sirisë.

Zoti Erdogan u tha gazetarëve sot se një furnizues rus kishte bërë të mundur sigurimin e futjes së ngarkesës së paligjshme. Ai nuk dha hollësi se ku e kishte marrë Turqia informacionin sekret apo kush në Rusi kishte dhënë materialet. Më herët, zyrtarët sirianë e kishin hedhur poshtë akuzën se në aeroplan kishte ngarkesë ushtarake.

Avionë ushtarakë turq detyruan aeroplanin të ulej dje në kryeqytetin e Turqisë, pasi kishte dyshime se ai mbante armë nga Rusia për qeverinë siriane të presidentit Bashar al Assad. Një pjestar i personelit të avionit tha se autoriteet turke i kishin prangosur ata, ndërsa kryenin kontrollin e aeroplanit.

Avioni i linjës Syrian Air u lejua të kryente fluturimin e tij mëngjesin e sotëm, mbasi Turqia konfiskoi atë që e quajti ngarkesë të paligjshme. Siria tha se vendimi i Turqisë ndaj një avioni pasagjerësh sirianë që të kryente një ulje të detyruar në Ankara ishte “armiqësor dhe i dënueshëm”.
XS
SM
MD
LG