Lidhje

Siri, 15 të vrarë nga bombardimet në Aleppo


Grupet rebele në Siri thonë se kanë filluar një mësymje në shkallë të gjerë në Aleppo për të thyer rrethimin nga forcat qeveritare të lagjeve në pjesën lindore të qytetit të ndarë.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha sot se goditjet me artileri në perëndim të Aleppos kanë lënë 15 civilë të vdekur dhe janë plagosur 100 të tjerë. Deri tani nuk ka të dhëna të mëtejshme.

Të enjten, Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon bëri thirrje për hetimin e një sulmi ajror mbi një shkollë në Siri që vrau rreth 30 njerëz, kryesisht fëmijë. “Nëse i qëllimshëm, ky sulm përbën krim lufte,” u shpreh zyra e zotit Ban përmes një deklerate.

Ish kryeministri britanik Gordon Brown, i cili është i dërguari special i Kombeve të Bashkuara për arsimin, po ashtu bëri thirrje për një hetim për krim lufte lidhur me incidentin në fjalë.

“I takon Këshillit të Sigurimit të hetojë rastin, të dënojë nëse ka krim lufte, të bashkëpunojë me Gjykatën e Krimeve dhe të zhvillojë hetime,” tha ish kryeministri britanik në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Aeroplanët luftarakë kryen gjashtë sulme të mërkurën në një fshat të Idbilit që kontrollohet nga rebelët dhe goditën një kompleks shkollor, duke vrarë 6 mësues dhe 22 nxënës, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Siria ose Rusia e ka fajin

Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut dhe Shtëpia e Bardhë kanë thëse Siria ose qeveria Ruse është përgjegjëse për sulmet.

“Ende nuk e dimë nëse ishte regjimi i Assadit apo Rusia që ndërmori sulmet ajrore, por e dimë që ishte njëra prej tyre”, - tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest.

Zëdhënësi i ministrisë ruse të mbrojtjes, Igor Konashenkov, tha se aeroplanët luftarakë rusë nuk gjendeshin në hapësirën ajrore mbi shkollë në kohën kur ndodhi incidenti. Agjencitë ruse të lajmeve po ashtu e cituan atë të ketë thënë se zona e dëmtuar e fotografuar nga mjete ajrore ruse pa pilot lënë të kuptohet se dëmtimet nuk ishin rezultat i sulmeve ajrore.

Diplomatët perëdimorë në Kombet e Bashkuara i mbështetën thirrjet për një hetim të pavarur.

“Është një sulm i tmerrshëm dhe e dënojmë atë”, u shpreh për gazetarët ambasadori britanik Mathew Rycroft. “ Është ide e mirë që të zhvillohet një hetim i duhur. Shpresoj që i gjithë Këshilli i Sigurimit ta mbështesë atë dhe të mbështesë përgjegjshmërinë për këdo që kosniderohet të ketë qënë përgjegjës për një sulm të tillë mizor”, - u shpreh ai.

Akte barbare

“Nëse ky nuk është krim lufte, sinqerisht nuk e di se çfarë mund të jetë ?”, shtroi pyetjen për gazetarët ambasadori francez François Delattre. “Ne duhet të mbajmë përgjegjës autorët e këtyre akteve barbare. Do të jemi të patundur në këtë drejtim. Po ashtu do të vazhdojmë trysninë ndaj regjimit sirian dhe aleatëve të tij që të ndalojnë bombardimet.”

Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 2 milion fëmijë sirianë në moshë shkollore janë jashtë bangave të shkollës dhe 52 mijë mësues kanë braktisur punën. Që nga janari ka patur 40 sulme ndaj shkollave në vendin e shkatërruar nga lufta, ndërkohë që një e treta e shkollave janë të papërdorshme si rezultat i dëmtimeve dhe shkatërrimeve.

XS
SM
MD
LG