Lidhje

Të paktën 5 të vrarë nga një shpërthim në Damask


Një shpërthim para një xhamie në kryeqytetin e Sirisë, Damask shkaktoi vdekjen e pesë pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe plagosjen e disa të tjerëve dje, ndërsa luftimet e ashpra vazhduan në pjesë të tjera të Damaskut dhe pati njoftime për gjetjen e dhjetra trupave në dy lagje.

Televizioni shtetëror sirian tha se shpërthimi u shkaktua nga një motocikletë e mbushur me eksplozivë në xhaminë Rukniyeh në Damaskun qendror. Kryeqyteti është goditur nga një valë shpërthimesh që kur filloi kryengritja kundër Presidentit Bashar al-Assad në mars të vitit të kaluar.

Protestat antiqeveritare shpërthyen në qytet dhe zona të tjera dhe Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut njoftoi për përleshje të reja mes trupave qeveritare dhe rebelëve në lagjen Kazaz të Damaskut. Në zonën që mbahet nën kontroll të rreptë, janë zyrat e disa agjencive siriane të rendit dhe sigurisë.

Organizata tha gjithashtu se banorët sirianë kanë gjetur trupat e 45 personave të paidentifikuar në dy zona pranë kryeqytetit, zbulimi i fundit në një valë ekzekutimesh në masë që dyshohet se janë bërë gjatë konfliktit 18 mujor.
XS
SM
MD
LG