Lidhje

Opozita siriane, skeptike për planin ndërkombëtar


Plani lë hapur mundësinë e përfshirjes së Asadit në një qeveri tranzicioni

Grupet opozitare siriane e kanë kritikuar ashpër planin e paqes të arritur me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara për të realizuar një tranzicion politik në Siri. Opozita e ka cilësuar planin si të paqartë dhe ‘një farsë’, ndërkohë që ka përjashtuar mundësinë që të ndajë pushtetin me presidentin aktual Bashar al-Asad. Udhëheqësit botërorë arritën dje një marrëveshje për kalimin e pushtetit me synimin që të ndalet konflikti i përgjakshëm. Marrëveshja lë të hapur mundësinë e angazhimit politik të Presidentit aktual Bashar al-Asad në qeverinë e tranzicionit.

Përfaqësues të opozitës siriane e kanë përcjellë me zhgënjim marrëveshjen e re të dalë nga bisedimet në Gjenevë. Khalid Saleh, anëtar i Këshillit Kombëtar Sirian, u shpreh se ata që luftuan kundër shtypjes së regjimit të Presidentit Bashar al-Asad nuk do të pranojnë të ndajnë pushtetin me të:

“Mendoj se komuniteti ndërkombëtar duhet ta ketë shumë të qartë se njerëzit që dolën për të flakur skllavërinë që u kishte imponuar regjimi i Asadit për 40 vjet, nuk do të kthehen në shtëpitë e tyre nëse synimi i vetëm i ndërkombëtarëve ishte të përmirësonin kushtet e skllavërisë. Ne nuk pranojmë që Asadi dhe të tjerët që i kanë duar e lyera me gjak të qëndrojnë në pushtet”.

Përfaqësues të vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së u mblodhën dje në Gjenevë për të diskutuar zgjidhjen e krizës në Siri. Konferenca ndërkombëtare miratoi një version më të butë të planit që propozoi ndërmjetësi ndërkombëtar Kofi Annan për krijimin e një qeverie tranzicioni. Me këmbënguljen e Rusisë, u la e hapur mundësia që Presidenti i Sirisë Bashar al-Asad të jetë pjesë e kësaj qeverie.

Shtetet e Bashkuara kishin këmbëngulur prej kohësh se Presidenti Asad nuk do të luante rol në një qeveri të re, por ndryshuan qëndrim për të siguruar miratimin e Rusisë dhe Kinës për planin, në mënyrë që të marrë fund konflikti i përgjakshëm.

Përfaqësuesi i Këshillit Kombëtar Sirian, të opozitës Khalid Saleh u shpreh se komuniteti ndërkombëtar ka qëndruar duarkryq përballë masakrimit të sirianëve. Konflikti në Siri që vazhdon prej më shumë se një viti, ka marrë më shumë se 14 mijë jetë, ndërkohë që mijëra të tjerë janë detyruar të marrin arratinë për në vende fqinje.
XS
SM
MD
LG