Lidhje

Presidenti rus urdhëron tërheqjen e pjesshme të trupave nga Siria


Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se kishte urdhëruar ushtrinë të tërhiqte një pjesë të rëndësishme të trupave nga Siria.

Ai e bëri publik vendimin e tij gjatë një vizite të paparalajmëruar në bazën ajrore ruse Hmeymim në provincën Latakia, ku ai zhvilloi një takim me presidentin sirian Bashar al-Assad dhe u foli trupave ushtarake ruse.

Zoti Putin tha se forcat ruse dhe siriane "kishin mposhtur grupin më të përgatitur të terroristëve ndërkombëtarë," duke iu referuar mesa duket grupit Shteti Islamik.

Rusia filloi së pari sulmet ajrore në Siri në shtator të vitit 2015 në ndërhyrjen më të madhe në Lindjen e Mesme në disa dekada, duke ndryshuar rrjedhën e konfliktit në interes të Assadit dhe duke rritur në mënyrë dramatike ndikimin e Moskës në Lindjen e Mesme.

Presidenti Putin të hënën urdhëroi fillimin e kthimit të forcave ruse në bazat e përhershme në Rusi, thuhet në faqen e internetit të Kremlinit.

"Detyra e luftimit të banditëve të armatosur këtu në Siri, një detyrë që ishte e domosdoshme të përmbushej me përdorimin e gjerë të forcës së armatosur, në pjesën më të madhe, është zgjidhur dhe atë në mënyrë spektakolare", tha ai në një fjalim të transmetuar në televizionin rus.

"Unë ju përgëzoj!", u tha ai ushtarëve rusë të mbledhur në bazën e tyre.

Ai citohet të ketë thënë po ashtu se Rusia do të mbajë bazën ajrore në Hmeymim të Latakias si dhe atë detare në portin sirian të Tartousit.

Presidenti rus qëndroi në Siri para së të shkonte ne Egjipt ku po takohet me presidentin egjiptian për të diskutuar zgjerimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, tregtare dhe të në fushën e energjisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG