Lidhje

Lakhdar Brahimi zhvillon bisedime në Siri


I dërguari i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe ka në plan të takohet edhe me presidentin Bashar al-Assad dhe me udhëheqësit e opozitës.

Qeveria siriane thotë se bisedimet që u mbajtën sot mes të dërguarit ndërkombëtar Lakhdar Brahimi dhe Ministrit të Jashtëm të vendit ishin “serioze dhe konstruktive”.

Agjencia shtetërore e lajmeve SANA, thotë se të dy burrat diskutuan mbi kushtet për ndalimin e dhunës, që lidhen me kryengritjen 19-mujore, me qëllim që të përgatiten për një dialog gjithëpërfshirës.

Agjencia e lajmeve nuk dha hollësi për kushtet, por përsëriti kundërshtimin e qeverisë ndaj çdo forme të ndërhyrjes së huaj për këtë çështje. I dërguari i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe po ashtu ka në plan të takohet me presidentin Bashar al-Assad, si dhe me udhëheqësit e opozitës gjatë qëndrimit të tij në Siri.

Brahimi po i kërkon zyrtarëve sirianë të mbështesin ndalimin e luftimeve gjatë 4 ditëve të festës myslimane të Kurban Bajramit, që fillon më 26 tetor. Ndërkohë, sot në Siri ka patur luftime të reja pranë qytetit Maaret al-Numan në veri të vendit, që është nën kontrollin e forcave rebele. Organizata me bazë në Britani, Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, tha se në luftimet e sotme janë vrarë të paktën 70 persona.
XS
SM
MD
LG