Lidhje

SHBA: Urdhër ekzekutiv për ndalimin e refugjatëve sirianë


Presidenti Donald Trump ka nënshkruar dy urdhra ekzekutivë për forcimin e sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Njëri prej urdhërave ndalon refugjatët sirianë të hyjnë në SHBA për një periudhë të pacaktuar kohore dhe ngarkon Departamentin e Sigurisë për krijimin dhe përditësimin e një liste me vende problematike.

Presidenti Trump mori pjesë dje në Pentagon në ceremoninë e betimit të Sekretarit të Mbrojtjes, James Mattis, të cilin e quajti një “njeri të veprimit”.

Duke përshkruar admirimin e tij për njerëzit në uniformë, Presidenti amerikan njoftoi nënshkrimin e dy urdhërave të rinj ekzekutivë që ai tha se do të forcojnë forcat e armatosura të SHBA-së.

“Po nënshkruaj pikë së pari një urdhër ekzekutiv për fillimin e një rindërtimi të forcave të armatosura, për avionë të rinj, anije të reja, dhe burime mbështetëse për burrat dhe gratë tona me uniformë. Jam shumë krenar për këtë veprim.”

Urdhëri i dytë do të ketë efekte mbi disa vende problematike.

“Së dyti, po vendos masa të reja kontrolli për t’i mbajtur jashtë SHBA-së terroristët radikalë islamikë. Nuk i duam këtu. Duhet të sigurohemi se nuk do të pranojmë në vend rreziqet që ushtarakët tonë luftojnë përtej oqeanit”, tha Presidenti Trump.

Si bazë për këtë vendim, urdhëri citon sulmet e 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Uashington, të cilat u kryen nga 19 të huaj që patën marrë pa vështirësi viza hyrjeje për në SHBA.

Urdhëri nuk përcakton se cilat janë vendet problematike, por autorizon megjithatë Departamentin e Sigurisë të mbajë në vëmendje vendet që nuk ofrojnë informacion të mjaftueshëm për shtetasit e tyre.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë patën sinjalizuar fillimisht se ndër këto vende do të ishin Irani, Iraku, Siria, Sudani, Libia, Jemeni dhe Somalia, dhe urdhëri përcakton se listës mund t’i shtohen vende të tjera në çdo kohë.

Dy agjensi të OKB-së për refugjatët, UNHCR-ja dhe IOM, deklaruan se shpresojnë që SHBA-ja do të vazhdojë traditën e saj të gjatë dhe rolin udhëheqës në mbrojtje të njerëzve që i largohen konfliktit dhe persekutimit.

“Urdhëri ekzekutiv pezullon gjërat për 4 muaj. Ndërkohë, shpresojmë të bashkëpunojmë me administratën amerikane për t’u siguruar se ndërsa merren të gjitha masat e duhura të sigurisë, të mundësohet edhe zhvendosja për njerëzit që kanë vërtet nevojë”, tha Leonard Doyle, zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit, kjo është një mundësi për vende të tjera që të tregohen po aq bujare në mikpritjen e refugjatëve, sa ç’është treguar SHBA-ja. Zoti Doyle thotë se përveç Gjermanisë, vende të tjera të BE-së nuk po pranojnë aktualisht zhvendosje të refugjatëve.

XS
SM
MD
LG