Lidhje

Izraeli evakuon qindra vullnetarë të "Helmetave të Bardha"


Izraeli evakuoi rreth 422 vullnetarë të "Helmetave të bardha" dhe familjet e tyre nga Siria dhe i dërgoi në Jordani gjatë natës së të shtunës, në një autokolonë të shoqëruar nga policia izraelite dhe automjetet e Kombeve të Bashkuara. Jordania pati njoftuar fillimisht për 800 vullnetarë të evakuuar, por më vonë e korrigjoi shifrën, në 422.

Forca Mbrojtëse e Izraelit që i identifikoi punonjësit e shpëtimit si civilë, shkroi në twitter: "Civilët u evakuuan nga zona e luftës në Sirinë Jugore për shkak të kërcënimit të drejtpërdrejtë ndaj jetës së tyre. Transferimi i sirianëve të zhvendosur nëpër Izrael, është një gjest i jashtëzakonshëm humanitar".

Sipas kësaj force, evakuimi u krye pas "kërkesave të Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve evropiane".

Izraeli tha se të evakuuarit u dërguan "në një vend fqinj", por nuk e përmendi Jordaninë.

Agjencia shtetërore jordaneze e lajmeve, Petra, shkroi se sirianët janë në një zonë të mbyllur në Jordani. Sipas saj, Britania e Madhe, Gjermania dhe Kanadaja janë pajtuar që t'i risistemojnë ata brenda tre muajsh.

Ushtria siriane e mbështetur nga sulmet ajrore ruse, është futur në provincën Quneitra, pas një ofensive të muajit të kaluar që i shtyu kryengritësit në provincën Deraa. Ofensiva i mundësoi qeverisë siriane vendosjen e kontrollit në një rajon strategjik në kufirin me Jordaninë dhe Izraelin.

Në një deklaratë të Zyrës së Jashtme të Britanisë, thuhet se "Helmetat e Bardha janë shndërruar në objektiv të sulmeve dhe për shkak të ekspozimit të tyre të lartë, gjykuam se në këto rrethana të pazakonta, vullnetarët kanë nevojë për mbrojtje të menjëhershme".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG