Lidhje

Të mërkurën mbahen zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut


Kutitë e votimit çohen tek të sëmurët me COVID-19 në Shkup

Të mërkurën mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, të dhjetat që nga pavarësia e vendit dhe zgjedhjet e pesta të parakohshme. Këto zgjedhje që po mbahen në kohë pandemie, ishin caktuar për më 12 prill, por u shtynë pikërisht për shkak të rrethanave me koronavirusin. Zgjedhjet e rregullta do të duhej të mbaheshin në nëntor të këtij viti.

Mbi 1 milion e 814 mijë votues janë në regjistrin zgjedhor në shtetin me rreth dy milionë banorë, ku censusi i fundit është bërë para 18 vjetësh dhe numri i lartë i votuesve të regjistruar ka qenë temë debati prej vitesh.

Votimi mbahet në një ditë pune për herë të parë, megjithëse e mërkura është shpallur ditë pushimi.

Që nga janari është në detyrë një qeveri teknike, një rregull i përcaktuar nga ajo që njihet si “Marrëveshja e Përzhinës”, e cila parashikon që tre muaj para zgjedhjeve largohet kryeministri për t'i lënë vendin një drejtuesi tjetër, zakonisht nga e njëjta parti dhe dy vende ministrash e po aq zëvendës-ministra i lihen opozitës.

Të hënën dhe të martën kanë votuar personat e prekur nga COVID-19, personat në izolim, si dhe të burgosurit. Autoritetet shëndetësore kanë garantuar një proces të sigurt për të gjithë për sa i përket kushteve shëndetësore, si për anëtarët e komisioneve ashtu edhe për votuesit, ndonëse shifrat e të prekurve dhe të viktimave nga koronavirusi nuk kanë shënuar rënie që prej disa javësh.

Maqedonia e Veriut ndahet në gjashtë zona zgjedhore; Secila dërgon nga njëzet deputetë në parlament. Drejtuesit politikë shqiptarë kandidojnë në zonën e gjashtë, që përfshin Tetovën, Gostivarin, një pjesë të Kërçovës e të Dibrës. Por, interesi i votuesve në këtë zonë nuk ka qenë aq i lartë sa në zonat tjera, sidomos ato të lindjes në disa ciklet e fundit zgjedhore.

Të gjitha partitë shqiptare së bashku kishin 20 deputetë në përbërjen e fundit të parlamentit dhe dy të tjerë nga radhët e Lidhjes Social Demokrate, e cila fitoi dhjetra mijë vota të shqiptarëve në zgjedhjet e 2016-ës. Përveç partive Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, të cilat dalin në koalicion të përbashkët, të tjerat garojnë veç e veç, teksa Lëvizja Besa është bërë pjesë e koalicionit me Lidhjen Social Demokrate maqedonase që përmbledh brenda vetes rreth njëzet parti të vogla e entitete politike.

Sondazhet e organizatave amerikane IRI dhe NDI të para pak javëve e nxjerrin LSDM-në si partinë me mbështetjen më të madhe në këto zgjedhje, por vetëm me 1 deri në 2 përqind ndaj rivales konservatore VMRO-DPMNE. Drejtuesi i LSDM-së Zoran Zaev në disa raste është shprehur se nuk do të bënte koalicion qeveritar me Bashkimin Demokratik për Integrim, teksa zyrtarët e kësaj të fundit kanë theksuar më tepër se një herë preferencën për ta vazhduar koalicionin qeverisës me social-demokratët.

Procesi do të vëzhgohet nga 98 përfaqësues të ODIHR-it dhe qindra vëzhgues të tjerë të organizatave joqeveritare vendase.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG