Lidhje

Të rriturit me autizëm


Shumë prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara shqetësohen për të ardhmen e fëmijëve së tyre si të rritur. Mund të jetë e vështirë të gjenden shërbime për të ndihmuar të rriturit me aftësi të kufizuara fizike, mendore apo emocionale - të gjejnë punë apo të jetojnë më vete. Ndihma shpesh vjen nga komuniteti i familjeve të prekura nga të njëjtat kushte.

Nëna e një djali autist ka krijuar një fond për të ndihmuar 1.2 milionë amerikanë të rritur me autizëm, një çrregullim zhvillimor që shkakton vështirësi komunikimi dhe shpesh, mangësi në marrëdhëniet sociale.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Faiza Elmasry na tregon se qëllimi i këtij fondacioni është të ndihmojë që ky grup të ketë një jetë sa më të plotë dhe më kuptimplotë që të jetë e mundur.

Rafael Angevine mund të kalojë orë të tëra duke bërë fotografi. “E bëj për veten time. Nuk mundohem të krijoj një peisazh a gjë tjetër, thjesht marr fotografi,” thotë Rafaeli.

Rafaeli u diagnostikua me autizëm kur ishte 26 vjeç. Nëna e tij, Noelie thotë se i ati i tij e inkurajoi djalin të ndiqte pasionin që kishte për fotografinë.

“Fotografitë e tij, mënyra sesi ai i sheh dhe i gjen objektet e zakonshme dhe zgjedh të veçantat e punimeve artizanale si dhe ato natyrale, për mua është pothuajse mistike,” shpjegon e ëma.

“Bota është e rrumbullaktë" është një nga tre fotografitë e Rafaelit që po shfaqet në një ekspozitë për artistët me autizëm.

Ekspozita sponsorizohet nga Fondacioni Madison House Autism, një organizatë jo-fitimprurëse që mbështet të rriturit autistë.

Bashkëthemeluesja JaLynn Price i vuri fondacionit emrin e djalit të saj Madison që është 24 vjeç me autizëm. Ajo e di mirë shqetësimin e prindërve të tjerë për fëmijët e tyre autistë:

“Shqetësimi më i madh është kur të mos jem më pranë tij, kush do të kujdeset për djalin tim, që të ketë një jetë të lumtur dhe produktive.”

Grupi i saj lobon për një ligj që do të pakësojë pengesat në mënyrë që mundësohet strehimi dhe punësimi i të rriturve autistë.

“Punësimi është problem i madh, pasi rreth 85 përqind e atyre që janë autistë nuk kanë një punë që t’i mbështesë plotësisht.”

Përmes sponsorizimit të ekspozitës “Through Our Eyes” fondacioni synon edhe një synim tjetër – promovimin e mirëkuptimit dhe përfshirjes së tyre në komunitet. Në bashkëpunim me Universitetin Shady Grove në Marilend, puna e më shumë se 20 artistëve po tërheq vëmendjen për mundësitë e njerëzve autistë.

Drejtori ekzekutiv i shkollës, Stewart Edelstein, thotë se ekspozita është një mundësi e madhe mësimi:

“Ne jemi në procesin e edukimit të studentëve që do të bëhen infermierë, punonjës socialë dhe janë qytetarë të komunitetit tone. Për ta kuptimi në mënyrë më të plotë i nevojave të këtyre njerëzve me autizëm është shumë i rëndësishëm në aspektin e zhvillimit të tyre profesional.”


Noelie Angevine është dakord. “Ekonomia do të përfitojë nga përdorimi i talenteve të njerëzve si Rafaeli në vend që t’i lerë ata në rrugë,” thotë ajo.

Kjo i jep asaj shpresë se djali i saj do të vazhdojë të ketë një jetë normale edhe kur ajo të mos jetë më pranë tij.
XS
SM
MD
LG