Lidhje

Tërhiqet stuhia tropikale Henri; amerikanët fillojnë pastrimin


Në Konektikat

Banorët në pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara filluan të pastrojnë dëmet e shkaktuara nga stuhia tropikale Henri, pjesë të së cilës vazhduan të sillnin shi në rajon.

Stuhia e zvogëluar u vendos të hënën në mbrëmje mbi Masaçusets dhe pritej të kthehej në det deri të martën në mëngjes.

Paralajmërimet për përmbytjet vazhduan për shumë pjesë të Nju Inglënd gjatë të hënës, ndërsa stuhia lëvizte ngadalë drejt Oqeanit Atlantik, duke sjellë më shumë shi në zonat tashmë të mbingarkuara me ujë.

Potenciali për përmbytje bëri që Shtëpia e Bardhë të lëshojë një deklaratë emergjence të hënën për shtetin e Vermontit.

Deklarata i lejon Vermontit të marrë ndihmë federale për t'u pastruar nga stuhia, e cila doli në breg në Rhode Island të dielën duke sjellë erëra të forta, shira të dendur dhe shtim të stuhisë.

Presidenti Joe Biden gjithashtu kishte deklaruar gjendje emergjence për Rhode Island, Konektikat, Masaçusets dhe Nju Jork. Shtëpia e Bardhë tha se Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave kishte burime të tilla si gjeneratorë, ushqim dhe ujë të pozicionuar në rajon për të ndihmuar personat në nevojë.

Presidenti Joe Biden
Presidenti Joe Biden

Asnjë viktimë nuk është raportuar nga stuhia, por mijëra mbetën pa energji elektrike në të gjithë rajonin.

Stuhia filloi të lëvizte në veri drejt Nju Jorkut dhe rajonit të Nju Inglënd duke filluar të shtunën, me efektet fillestare nga Uragani Henri që goditën qytetin e Nju Jorkut herët në mbrëmje. Kjo solli shi dhe rrufe, të cilat nxitën pezullimin e një koncerti të yjeve të muzikës "We Love New York" në Central Park. Yje të tillë si Bruce Springstein dhe Elvis Costello nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë.

Më vonë atë natë, ndërsa stuhia Henri iu afrua kalimit të Long Island, rrufeja goditi majën e Qendrës Botërore të Tregtisë (One World Trade Center) në Manhattanin e poshtëm.

*Disa informacione për këtë raport u morën nga agjensitë e lajmeve The Associated Press dhe Reuters.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG