Lidhje

Albpetrol: Konsorciumi kontrollohet nga Rezart Taçi


Në Shqipëri, sipërmarrësi Rezart Taçi deklaroi sot se ai është pronar i shoqërisë që zotëron paketën kontrolluese të aksioneve në konsorciumin Vetro Energy, I cili u shpall fitues për blerjen e Albpetrolit e që fillimisht u deklarua si një grup amerikan. Zoti Taçi tha se konsorciumi do të investojë edhe 220 milion dollarë të tjerë, ndërsa pagesa prej 850 milion eurosh e ofruar për blerjen, do të bëhet me një këst të vetëm në përfundim të bisedimeve me qeverinë shqiptare.



Sipas letrave, Vetro Energy, që do të ketë në dorë të drejtën e shfrytëzimit të nëntokës shqiptare për 25 vjet, është një konsorcium amerikan. Por në të vërtetë, ai që kontrollon shumicën, është sipërmarrësi shqiptar Rezart Taçi. Konsorciumi Vetro energy, sic e njoftoi dhe ministria e Ekonomisë përbëhet nga Silk Road Equity që ka 49 përqind dhe nga “aksioneri I saj prej 51 për qind Ypo Oli & Energy, i cili zotëron 100 për qind të aksioneve të një kompanie të specializuar në fushën e naftës dhe të gazit Home Creek me bazë në Teksas”, deklaroi pak dite me pare zevendesministri i Ekonomise Sokol Dervishaj.

Siç shpjegoi sot vetë zoti Taçi, është ai që kontrollon Ypo Oil Energy: "Kompania Ypo është e zotëruar 100 për qind prej Rezart Tacit. Eshtë regjistruar në Singapor sepse aty janë tregjet ekonomike më të rëndësishme ku likuiditeti është me shumicë. Duke patur parasysh krizën financiare në Europën perëndimore, por edhe sipas miqve të mi amerikanë, vendosëm ta regjistrojmë, si kompaninë time ashtu dhe konsorciumin, në një nga tregjet ekonomike me likuiditet të mjaftueshëm për të financuar këtë projekt si dhe planin e biznesit në të ardhmen”

Zoti Taçi bleu pak vite më parë edhe kompaninë e rafinimit të naftës. Një proces i zhurmshëm ku dhe në atë rast u fol për një konsorcium amerikano zviceran si blerës, por sërish ai që e kontrollonte atë ishte zoti Taci. Sipërmarrësi i njohur shqiptar premtoi sot se konsorciumi Vetro do të investojë edhe 220 milion dollarë."Kompania Vetro parashikon që në 5 vitet e ardhshme të realizojë një plan investimesh prej 220 milion dollarësh”.

Tani do të nisin bisedimet me palën shqiptare për termat e kontratës dhe më pas ajo do të duhet të ratifikohet nga parlamenti duke i hapur më pas rrugë pagesës së 850 milion eurove që do paguhen me një këst: “Në varësi të kohës së secilës etapë do të bëhet dhe pagesa. Megjithatë ajo do të jetë me nje këst të vetëm. Ky është një nga kushtet që qeveria ka vendosur për këtë privatizim”.

Po sot kryeministri Sali Berisha firmosi edhe vendimin që njeh konsorciumin Vetro Energy si fitues të garës për Albpetrolin.
XS
SM
MD
LG