Lidhje

Tajlandë: Vendimi i gjykatës nuk zgjidh krizën politike


Një gjykatë tajlandeze refuzoi të vendosë lidhur me legjitimitetin e zgjedhjeve parlamentare të vendit, duke i dhënë një goditje partisë demokratike të opozitës, që tha se ato ishin të paligjshme.

Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë gjithashtu një mocion të partisë në pushtet që pretendon se protestat disa javore të opozitës përbëjnë një përpjekje për të përmbysur shtetin.

Vendimet e gjykatës nuk arritën të zgjidhin ngërçin politik të Tajlandës që ka mbërthyer vendin që nga fundi i vitit të kaluar, duke e lënë atë në duart e një qeverie teknike.

Kryeministrja Yingluck Shinawatra kishte shpresuar se zgjedhjet e parakohshme të 2 shkurtit do t’i jepnin fund krizës. Por opozita i bojkotoi zgjedhjet, dhe i ndërpreu ato në disa provinca.

Të martën, komisioni zgjedhor tha se do të mbajë një raund tjetër zgjedhjesh në fund të prillit në zona ku votimi nuk është zhvilluar. Data nuk është njoftuar ende.

Pa vende të mjaftueshme në dhomën e ulët të parlamentit, nuk mund të formohet një qeveri e re dhe qeveria teknike e zonjës Yingluck do të ketë vetëm një kontroll të kufizuar mbi politikat.
XS
SM
MD
LG