Lidhje

Kërkesat për azil në qendër të takimit Ballkan-Be


Në Tiranë ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë së vendeve ballkanike dhe përfaqësuesit e Be. Zotim për marrjen e disa masave për të frenuar abuzimet me liberalizimin e vizave

Në Tiranë sot nisi punimet takimi i ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të Ballkanit me Bashkimin europian, ku temë kryesore është cështja e liberalizimit të vizave dhe masave për parandalimin e kërkesave të azilit nga vendet ballkanike. Disa vende të Bashkimit europian kanë shprehur shqetësim të thellë për rritjen e numrit të azilkërkuesve për shkak të abuzimit me liberalizimin e vizave dhe kanë kërkuar marrjen e masave të shpejta mes të cilave dhe mundësinë e rivendosjes së përkohshme të regjimit të vizave. Në takimin ku merr pjesë edhe komisionerja për Cështjet e Brendshme të Bashkimit europian, Cecilia Malmstrom, palët kanë rënë dakot për marrjen e disa masave për të frenuar fenomenin e kërkesave për azil.



Gjashtë vende anëtare të Bashkimit europian Belgjika, Luksemburgu, Gjermania Franca, Austria dhe Hollanda i kanë kërkuar Brukselit që të përshpejtojë procedurat për vënien në jetë të “mekanizimit të shpëtimi”, i propozuar nga komisioni europian, e që parashikon që në rast të rrethanave të jashtëzakonshme të mund të rivendoset regjimi i vizave ndaj vendeve ballkanike të cilat përfituan nga liberalizimi i vizave në zonën Schengen në vitin 2009 dhe 2010. Numri i azilkërkuesve është rritur me 75 përqind gjatë këtij viti krahasuar me një vit me parë dhe “kjo është një shifër shqetësuese”, deklaroi me 25 tetor në përfundim të mbledhjes së ministrave të Brendshëm të vendeve të Bashkimit europian Cecilia Malmstrom, komisionere për Cështjet e Brendshme të Bashkimit europian.

Zonja Malmstrom merr sot pjesë në takimin e ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit europian ku tema e fenomenit të kërkesave për azil është në qendër të diskutimeve. Brukseli kërkon nga vendet e Ballkanit që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen duke vënë në jetë masa konkrete, në mënyrë që tendenca e kërkesave për azil të frenohet.

Kryeministri shqiptar Sali Berisha tha se vendet e origjinës duhet të bashkëpunojnë ngushtë për t’i dhënë një përgjigje efikase fenomenit që ka shqetësuar vendet e zonës Schengen: “Gjykoj se është në interesin më të mirë dhe në detyrimin e qeverive të vendeve të origjinës, që të marrin masat më eficente, si për parandalimin, nëpërmjet një fushate të vazhdueshme informacioni, por edhe rikthimin më të shpejtë të tyre. Sikundër, jam i bindur se, para se të konsiderohen masa që ndëshkojnë një popull të tërë, për një grup të caktuar, do të ishte shumë më e dobishme përqendrimi te këto masa, në mënyrë që të neutralizoheshin pasojat e fluksit të azilkërkuesve në vendet anëtare të zonës Shengen”.

Në deklaratën e përbashkët që do të miratohet në fund të takimit të sotëm, vendet a Ballkanit angazhohen të realizojnë një sërë ndërhyrjesh, që nga hetimet ndaj atyre që favorizojnë emigracionin e paligjshëm, deri në forcimin e mëtejshëm të kontrollit të kufijve, bashkëpunimit të ngushtë me vendet e Bashkimit europian dhe agjencitë e tyre ligjzbatuese dhe fushata të mëtejshme sensibilizimi ndaj qytetarëve.

Shqetësimi më i madh për vendet europiane ka ardhur nga Serbia dhe Maqedonia ku azilkërkuesit janë kryesisht të komunitetit rom por dhe shqiptarë që banojnë në këto shtete, prandaj vendet e Balkanit zotohen edhe për përmirësimin e kushteve të jetesës së këtyre kategorive.

Ndërkohë nga Shqipëria, shqetësim kanë paraqitur kërkesat për azil në Belgjikë. Sipas autoriteteve belge janë 470 të tilla nga janari deri në fund të gushtit të këtij viti. Autoritetet shqiptare kanë deklaruar se kanë marrë masa për të frenuar fenomenin dhe për të ndëshkuar ata që abuzojnë. Dy grupe qytetarësh shqiptarë janë riatdhesuar. Kryeministri deklaroi se së shpejti një veprim i tillë do të realizohet edhe me Luksemburgun.

Takimi i sotëm merr në shqyrtim edhe cështje të tjera që lidhen me trafiqet, krimin e organizuar dhe korrupsionin. “Një gjyqësor llogaridhënës dhe i paanshëm është me rëndësi themelore për vendet e Ballkanit”, deklaroi komisionerja Malmstrom e cila vuri theksin në nevojën e realizimin të reformave dhe një luftë dhe dënime më të ashpra ndaj krimit dhe fenomenit të korrupsionit i cili sic deklaroi ajo mbetet mjaft i përhapur dhe shqetësues.
XS
SM
MD
LG