Lidhje

Trump, thirrje e re për reformën e taksave


Presidenti i SHBA, Donald Trump bëri thirrje përsëri të enjten për miratimin e një reforme të gjerë të ligjeve komplekse për taksat dhe u takua me grupin e shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve pak përpara një votimi të planifikuar për këtë çështje.

Ndryshimet do të shkurtonin normën e tatimit të korporatave nga 35 përqind, një nga normat më të larta në botë, në 20 përqind dhe do të ulnin taksat për miliona tatimpagues të klasës së mesme, por jo për të gjithë. Kjo do t’i shtonte 1.5 trilionë dollarë borxhit të vendit, që kap 20 trilionë dollarë.

Zoti Trump, i cili nuk ka arritur asnjë fitore të madhe legjislative në 10 muajt e parë të tij në detyrë, i ka bërë thirrje Kongresit të miratojë një reformë taksash deri në Krishtlindje por, ndryshimet e propozuara janë të debatueshme dhe asnjë ligjvënës demokrat nuk ka shprehur mbështetje për to.

Udhëheqësit republikanë në Senat po avancojnë planin e tyre të taksave, por fati i tij është i pasigurt, ndërkohë që republikanët kanë një shumicë prej 52 kundrejt 48 vendeve të demokratëve. Ron Johnson i shtetit Wisconsin u bë senatori i parë republikan që shpreh kundërshtimin e tij ndaj versioneve të paraqitura si në Senat edhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai tha se ndryshimet e propozuara nuk i shkurtojnë sa duhet taksat për të ndihmuar bizneset e vogla.

Demokratët e kanë kundërshtuar përpjekjen republikane për shkurtimin e taksave, që ata thonë se favorizon së tepërmi taksapaguesit më të pasur të vendit, dhe nuk ndihmon mjaftueshëm njerëzit që fitojnë shumë më pak.

Pothuajse çdo taksapagues në SHBA do të ndikohej nga ndryshimet që po shqyrtohen në Kongres.

Presidenti Trump shkruante të enjten në Twitter: "Shkurtimet e taksave po afrohen!"

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG