Lidhje

Talebanët përballen me sfidat e qeverisjes së Afganistanit


Një luftëtar taleban duke ecur në Kabul përpara një salloni bukurie në dritaret e të cilit ka filluar mbulimi me bojë i imazheve të grave

Talebanët në Afganistan po veprojnë me shpejtësi për të trajtuar sfidat e pajtimit me armiqtë e dikurshëm, vetëm disa ditë pasi rimorën pushtetin në Kabul dhe shpallën se "lufta ka mbaruar".

Delegatët e këtij grupimi rebel, përfshirë udhëheqësit e Rrjetit Haqqani, të klasifikuar nga Shtetet e Bashkuara si një rrjet ndërkombëtar terrorist, vizituan të mërkurën rezidencat e figurave kryesore politike në kryeqytetin afgan.

Ish-Presidenti afgan Hamid Karzai dhe Abdullah Abdullah, partner koalicioni i Presidentit të larguar Ashraf Ghani, ishin ndër ata që pritën udhëheqësit talebanë.

"Shkëmbyen pikëpamje mbi sigurinë e qytetarëve në Kabul dhe në të gjithë Afganistanin, unitetin dhe bashkëpunimin për të ardhmen e vendit", shkruajti zoti Abdullah të enjten në lidhje me takimin.

Zoti Abdullah shkruajti në Twitter se Khalil Al-Rahman Haqqani, i shpallur terrorist ndërkombëtar nga Uashingtoni në vitin 2011, udhëhoqi delegacionin taleban dhe vuri në dukje se ndër të tjerë ishte i pranishëm edhe kryetari i Senatit afgan Fazal Hadi Muslimyar.

Në një përpjekje të dukshme për të nënvizuar rëndësinë e një sistemi qeverisës gjithëpërfshirës, zoti Abdullah theksoi se "historia tregon se në mungesë të drejtësisë sociale, sigurimi dhe forcimi i unitetit kombëtar është i pamundur".

Pati njoftime sporadike se luftëtarët talebanë sulmonin dhunshëm protestuesit, me të paktën tre persona të vrarë në qytetin lindor Jalalabad të mërkurën.

Zoti Abdullah shkruajti në Twitter se “z.Haqqani siguroi pjesëmarrësit se ata do të punojnë shumë për të siguruar sigurinë e duhur për qytetarët e Kabulit, dhe kërkoi ndihmën dhe mbështetjen e udhëheqësve politikë dhe pleqësisë së vendit për të ofruar sigurinë për njerëzit".

"Përpjekjet e talebanëve për t'iu afruar udhëheqësve të tjerë politikë janë një shenjë e mirë që ilustrojnë se ata e kuptojnë se Afganistanit i duhet një qeverisje gjithëpërfshirëse", i tha Zërit të Amerikës Torek Farhadi, një ish-këshilltar i presidentit dhe analist afgan. "E njëjta qasje për gratë, teknokratët dhe biznesmenët është e nevojshme për të forcuar ekonominë e Afganistanit, klimën e investimeve dhe mundësitë e punësimit", tha zoti Farhadi.

Shpërblimet për Drejtësinë, një faqe në internet e Departamentit amerikan të Shtetit, thotë se Haqqani ka marrë urdhra për operacionet talebane nga nipi i tij Sirajuddin Haqqani, dhe ai "gjithashtu ka vepruar në emër të al-Kaidës dhe është lidhur me operacionet terroriste të al-Kaidës".

Kryengritësit talebanë pushtuan zona të mëdha njëra pas tjetrës në rrugën e tyre për të kapur Kabulin të dielën, pothuajse 20 vjet pasi forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara i rrëzuan nga pushteti.

Talebanët gjenden tashmë nën presion në rritje nga Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare pasi morën kontrollin ushtarak mbi vendin e shkatërruar nga konflikti në Azinë Jugore, pavarësisht premtimeve publike se nuk do ta bënin këtë gjë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG