Lidhje

Trump: Pas sulmeve në Afganistan, jo dialog me Talebanët


Presidenti Donald Trump ka dënuar valën e sulmeve vdekjeprurëse në Afganistan gjatë javës së kaluar, duke thënë se Uashingtoni nuk do që të negociojë me Talebanët, që po vrasin shumë gra dhe fëmijë të pafajshëm. Komentet e tij vijnë ndërsa një raport i ri tregon se intensifikimi i operacioneve ushtarake në vendin e shkatërruar nga lufta, nuk e ka përmirësuar aftësinë e qeverisë afgane për të mbrojtur popullin e vet.

Pas katër sulmesh vdekjeprurëse në pak më shumë se një javë, përfshirë një goditje masive vetëvrasëse me makinë bombë në Kabul që shkaktoi vdekjen e 150 vetëve, qeveria afgane shpalli një ditë kombëtare zije. Talebanët morën përgjegjësinë për dy sulmet në Kabul. Afganistan ishte një nga temat e bisedimeve në një takim të Presidentit Donald Trump me anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të hënën.

“Njerëz të pafajshëm po vriten gjithandej. Bomba të hedhura mes fëmijëve, familjeve, vrasje në gjithë Afganistanit. Prandaj ne nuk duam të flasim me Talebanët”, tha Presidenti Trump.

Në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara nuk e ka përjashtuar përfshirjen e Talebanëve në bisedimet e mundshme të paqes. I pyetur se pse Talebanët po marrin tani përgjegjësinë për masakrat, analisti Michael Kugelman, u përgjigj:

“Talebanët duan që të dobësojnë shtetin afgan me çfarëdolloj mënyre. Dhe duan ta bëjnë një gjë të tillë tani që të provojnë se shteti afgan nuk mund t’i mbrojë njerëzit e vet, nuk mund të ruajë sigurinë dhe kjo përfshin civilët”.

Presidenti Trump e rriti praninë ushtarake amerikane në vend me 11,000 trupa të vendosura aktualisht atje, 16 vjet pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Disa ekspertë thonë se sulmet terroriste ndaj civilëve po planifikohen në anët tjetër të kufirit në Pakistan. Analisti Kugelman thotë se Shtetet e Bashkuara ka gjasa të jenë duke shqyrtuar mënyrat për rritjen e presionit ndaj Pakistanit për ndaljen e sulmeve, por i duhet të ruajë një balance delikate.

“Nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara do ta shpallin Pakistanin si një shtet që sponsorizon terrorizmin. Do të ishte një kthesë tepër dramatike që jo vetëm ndoshta nuk do të funksiononte, por ndoshta Pakistani do të hakmerrej duke mbyllur rrugët e furnizimit në territorin e tij të përdorur nga forcat e NATO-s për qasje në Afganistan”.

Me këtë nivel dhunë në Afganistan, nuk ka gjasa që konflikti më i gjatë në historinë amerikane të mbyllet së shpejti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG