Lidhje

Politika e jashtme e Presidentit Obama u kritikua ashpër në kuvendin e Partisë Republikane


Dy prej folësve të mbrëmshëm ishin Senatori John McCain dhe ish sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice

Politika e jashtme e Presidentit Barak Obama u kritikua dje ashpër në kuvendin e Partisë Republikane në Tampa.

Senatori John McCain, njeriu që u mund nga zoti Obama në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008, u tha delegatëve se presidenti vazhdimisht ka dështuar në mbështetjen që duhet t’u jepte aleatëve kudo në botë si dhe të tjerëve që janë përpjekur të ngrihen kundër tiranëve dhe diktatorëve.

"Kur iranianët u ngritën me miliona kundër sunduesve të tyre shtypës, kur ata hidhnin parrulla duke pyetur presidentin në anglisht: jeni me ne apo kundër nesh, kur e gjithë bota vëzhgonte ndërsa një vajzë e re me emrin Neda u qëllua dhe humbi jetën në rrugët e Teheranit, presidenti humbi një rast historik për t’i dhënë mbështetjen e plotë morale të Amerikës revolucionit iranian, që përputhej me një ndër interesat tanë më të rëndësishëm – të hiqej qafe një diktaturë e egër që terrorizon Lindjen e Mesme dhe kërcënon botën."

Zoti McCain akuzoi gjithashtu zotin Obama se nuk po e ndihmon opozitën në Siri dhe se po lejon vende si Rusia dhe Kina për të patur ndikim tepër të madh mbi politikën e jashtme amerikane.

Ish sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice u bëri jehonë pikëpamjeve të zotit McCain. Megjithëse nuk e përmendi presidentin me emër, zonja Rice tha se Amerika "nuk mund të tregohet e lëkundur kur vjen fjala për të udhëhequr. Nuk mund të udhëheqësh duke ndjekur të tjerët nga prapa”.

"Miqtë dhe aleatët tanë duhet të jenë në gjendje të kenë besim përsëri te ne. Nga Izraeli në Poloni, në Filipine, në Kolumbi dhe kudo në botë. Ata duhet ta dinë se ne jemi të palëkundur, konstantë dhe të vendosur. Edhe armiqve tanë nuk duhet t’u lemë arsye të dyshojnë te vendosmëria jonë sepse në të vërtetë, paqja buron nga forca. Aftësia jonë ushtarake dhe epërsia jonë teknologjike do të jenë të sigurta në duart e Mitt Romney-t."

Zonja Rice tha gjithashtu se nën Presidentin Obama, Amerika po heq dorë nga shfrytëzimi i avantazheve në fushën e tregtisë së lirë.

Zonja Rice dhe zoti McCain thanë se kandidati republikan Mitt Romney ka aftësinë për t’i rikthyer Amerikës pozitën e rolit udhëheqës në skenën globale.
XS
SM
MD
LG