Lidhje

Virozat e stinës kulmojnë në mesin e gushtit


Ministri i shëndetësisë, Vangjel Tavo, vizitoi urgjencat dhe u kërkoi mjekëve që të ndihmojnë qytetarët në këtë stinë të vështirë.

Instituti i Shëndetit Publik deklaroi se numri i fëmijëve dhe të rriturve të prekur nga virozat e stinës është në rritje të vazhdueshme dhe pritet të arrijë kulmin në mesin e muajit gusht. Sipas të dhënave më të fundit nga ky institut, vetëm në Tiranë kërkojnë mjekim urgjent nga virozat 250-300 fëmijë çdo ditë.

Rreth 300 fëmijë paraqiten çdo ditë edhe në spitalet dhe urgjencat e Durrësit të mbipopulluar nga sezoni turistik. Ndërsa në të gjithë vendin brenda javës kanë marrë shërbime të specializuara rreth 3 mijë pacientë nga të gjitha moshat.

Ministri i shëndetësisë, Vangjel Tavo, vizitoi pavionet e urgjencës së Tiranës dhe u kërkoi mjekëve të ambulancave që të përballojnë me profesionalizëm dhe përkushtim këtë situatë. Ai tha se “sistemi shëndetësor po bën ç’është e mundur që të ndihmojë qytetarët në këtë stinë të vështirë me temperatura të larta dhe sëmundje”. Sipas tij, strukturat shëndetësore të Tiranës dhe Shqipërisë janë në gadishmëri të plotë për të mjekuar qytetarët që kërkojnë ndihmë nga urgjencat.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik vlerësojnë në raportin e tyre se numri i të prekurve nga virozat stinore është rritur me 6 për qind nga një vit më parë vetëm në spitalet publike. Krahas virozave të stinës, sivjet është shfaqur edhe salmonella, një tjetër sëmundje ngjitëse, por sipas epidemiologëve, deri tani nuk ka pasur shpërthime epidemike të saj. Më i përhapur është gripi i verës me 5 mijë e 600 të prekur.

Shërbimi i kardiologjisë ka patur gjithashtu shumë punë këtë periudhë, sepse gjatë këtyre ditëve të nxehta numri i të shtruarve u rrit ndjeshëm. Sipas të dhënave të pjesshme nga mjekësia, pranë spitaleve paraqiten rreth 50 pacientë çdo ditë me shqetësime në zemër, shumica të moshës së tretë. Vapa e madhe ka vështirësuar frymëmarrjen, së bashku me smogun e rëndë në ajrin e ndotur të kryeqytetit shqiptar.
XS
SM
MD
LG