Lidhje

Presidenti Trump, në prag të një fitoreje madhore me ligjin e taksave


Senati amerikan votoi të martën vonë për të ndryshuar rrënjësisht sistemin amerikan të taksave, duke i sjellë Presidentin Donald Trump dhe republikanët e Kongresit fare pranë një fitoreje madhore legjislative dhe realizimit të një premtimi të fushatës.

Të 51 republikanët e senatit të pranishëm votuan në favor të Projek-ligjit për Uljen e Taksave dhe Vendet e Punës, ndërsa të 48 demokratët e kundërshtuan.

“Jemi në prag të ndryshimit më madhor të sistemit të taksave në mbi 30 vjet. Ky është një moment historik”, tha kryetari i Komisionit të Senatit për Buxhetin, Mike Enzi, një republikan nga Uajoming.

“Sot, Partia Republikane zyrtarisht i kthen shpinën klasës së mesme amerikane. Ky votim nuk do të harrohet”, tha kryedemokrati në Komisionin e Senatit për Financat, Ron Wyden.

Ligji i shkurton në mënyrë të përhershme taksat e korporatave, shkurton përkohësisht taksat që paguajnë punonjësit amerikanë, i vë një kufi nivelit të reduktimit të taksave dhe e rrit borxhin kombëtar ame të paktën 1 trilion dollarë gjatë një dekade.

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga republikanët e miratoi ligjin më herët gjatë ditës me një votim në vija partiake. Të mërkurën projekt-ligji kthehet tek Dhoma e Përfaqësuesve për një votim përfundimtar për të korrigjuar disa çështje teknike para se të dërgohet në Shtëpinë e Bardhë për t’u nënshkruar nga zoti Trump.

Republikanët argumentuan se shkurtimi i taksave do të rigjallërojnë ekonëminë amerikane dhe do t’i bëjnë bizneset amerikane më konkurruese brenda dhe jashtë vendit.

“Vendet në gjithë botën po marrin mesazhin e qartë se Amerika është e përkushtuar që të udhëheqës në shekullin e 21-të. Ne jemi të angazhuar të udhëheqim përsa i takon novacioneve dhe rritjes. Jemi të përkushtuar të udhëheqim, duke garantuar që kompanitë amerikane të qëndrojnë në Amerikë dhe t’i mbajnë vendet e punës këtu”, tha senatori nga Dakota e Jugut, John Thune.

Demokratët e denoncuan ligjin, duke thënë se ai e lë peng të ardhmen e Amerikës brenda dhe jashtë vendit, për të mbushur xhepat e të pasurve.

“Korporatat ndërkombëtare do të nxiten të dërgojnë punës jashtë vendit dhe kështu më shumë qytete industriale do të humbasin fabrikat e tyre”, tha senatori Wyden.

Qendra jopartiake për Politikat e Taksave arriti në përfundimin se ligji do t’i shkurtojë taksat për 95 për qind të amerikanëve vitin e ardhshëm, por shkurtimet mesatare për ata që kanë më shumë të ardhura do t’i tejkalojnë me një diferencë të madhe shkurtimet për ata me të ardhura më të ulëta.

Legjislacioni shfuqizon gjithashtu një pjesë të ligjit për kujdesin shëndetësor të ish-presidentit Barack Obama, duke eliminuar detyrimin që amerikanët të blejnë sigurime shëndetësore. Si rezultat, 13 milionë më pak amerikanë do të kenë sigurime gjatë dekadës së ardhshme, sipas zyrës së Kongresit për Buxhetin.

Disa demokratë vunë në dukje se presidenti një manjat i pasurive të patundshme, mund të përfitojë shumë nga disa klauzola të ligjit. Zoti Trump ka këmbëngulu se ndryshimi në ligjin e taksave do t’i kushtojë para.

Para votimit në senat, disa demokratë e pranuan që nuk mund t’i ndalonin republikanët e shumicës.

"Shumica ka votat dhe demokratët nuk kanë shumë në dorë t’i ndalojnë ata”, tha anëtarja e Kongresit nga Nju Jorku, Louise Slaughter.

Republikanët e mbrojtën qëndrimin e tyre, para fitores.

"Ne erdhëm në Uashington për të shkurtuar taksat dhe të bëjmë të mundur që njerëzit të mbajnë sa më shumë në duart e tyre paratë që i kanë fituar me djersën e ballit. Dhe këtë po bëjmë sot”, tha senatori nga Uajoming John Barrasso.

Anketat e opinnionit publik kanë treguar vazhdimisht se më shumë amerikanë janë kundër sesa pro ligjit. Disa ligjvënës republikanë kanë fajësuar median, duke thënë se gazetarët e kishin shtrembëruar ligjin e taksave në mbulimin e tyre dhe se nuk i kishin paraqitur siç duhet përfitimet prej tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG