Lidhje

Të dielën në Francë mbahen zgjedhjet presidenciale


Votuesit francezë votojnë të dielën në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat pritet të përfundojnë me fitoren e udhëheqësit të parë socialist në Francë në gati dy dekada. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Paris Lisa Bryant ndoqi disa nga mitingjet më të fundit të presidentit konservator Nicolas Sarcosy dhe rivalit të tij kryesor, socialistit Francois Hollande. Të ndjekim kronikën:

Është një ditë e ftohtë dhe me erë, por ky miting fushate para kështjellës së shekullit të 14-të “Chateaux de Vincennes” po mbahet në një atmosfere festive. Njerëzit mbajnë radhën për të marrë mish të pjekur në barbeque, apo salçiçe picante afrikanoveriore, ndërsa dëgjojnë muzikë. Por shumica e tyre presin që kandidati i Partisë Socialiste Francois Hollande të mbajë një nga fjalimet përfundimtare para votimeve të së dielës.

Mes përkrahësve të zotit Hollande është 60 vjeçari Patrice Marshall, nga lagja periferike Nanterre e Parisit.

Ai thotë se ka kohë që e mbështet Francois Holland-in, për shkak të cilësive të tij njerëzore, ngaqë ai mbron vlera socialiste, si solidariteti. …Dhe një tjetër arsye e rëndësishme, thotë ai, është se Hollande mund të jetë personi që do t’i zerë vendin presidentit aktual, Nicholas

Francois Hollande është veteran i skenës politike franceze. Ai ka kryesuar Partinë Socialiste për vite me radhë. Por ai nuk ka mbajtur kurrë një post të lartë qeveritar dhe në përgjithësi, nuk konsiderohet si një figure karizmatike. Ai e di këtë dhe e përshkruan veten si një “njeri normal”. …Dhe anketat e paraqesin atë në një finish të njëkohshëm me Nicholas Sarcozinë, në raundin e parë të zgjedhjeve dhe si fitues në të dytin.

Si shpjegohet popullariteti i madh i Francois Holland-it? Bruno Cautros, studjues i shkencave politike në Institutin e Studimeve Politike në Paris, thotë:

“Së pari, ai është popullor sepse nuk është Sarcozi. Po ashtu zgjedhjet këtë vit janë mbizotëruar nga disa fenomene kyçe, si kriza ekonomike, por edhe ajo që në Francë njihet si “anti-Sarkozizëm”. Personaliteti i zotit Sarkozi shqetëson shumë votues.”

Zoti Sarkozi u zgjodh president në vitin 2007, duke sjellë shpresën e ndryshimit. Por shumë francezëve ju fikën shpresat nga ajo që ata e shohin si një personalitet që bie shumë në sy dhe politika jo të qëndrueshme të zotit Sarkozi. Pastaj, thotë studjuesi Cautres, ndodhi ngadalësimi ekonomik dhe kriza e Eurozonës...

“Është e qartë, se të jesh në pushtet në një situate të tillë ekonomike nuk është diçka e mirë. Dhe unë mendoj se cilido që do të vijë në pushtet, do ta ketë tepër të vështirë.”

Por përkrahësja e zotit Hollande, Fatna Chouaikh i cilëson katastrofike politikat e zotit Sarcosy.

Ajo thotë se nën drejtimin e zotit Sarcosy janë shtuar në Francë mjerimi dhe pabarazia ekonomike dhe janë shkelur të drejtat bazë njerëzore. Si një franceze me origjinë marokene dhe besimtare myslimane, Fatna Chouaikh thotë se ajo është kundër politikave të emigracionit të zotit Sarcosy.

Por megjithatë, zoti Sarcosy nuk dorëzohet. Po ashtu, as përkrahësit e tij, të cilët mbushën sheshin e Parisit “Place de la Concorde”.

Disa si 27-vjeçari Julien Guiguet, agjent imobiliar në Lyaon, udhëtoi qindra kilometra për të marrë pjesë në miting. Ai thotë se ka vite që mbështet zotin Sarkozi.

“E mbështes ngaqë ai është njeriu që gjen zgjidhje për situatën. Në Evropë ka krizë dhe ai ka gjetur një zgjidhje për Francën.”

Edhe 50-vjeçarja Anne Versellone ka mendim të ngjashëm.

“Unë votoj për zotin Sarcosy, sepse ai është një president i shkëlqyer dhe unë kam besim tek Franca, si një vend i shkëlqyer. Po ashtu zoti Sarkozi është një person udhëheqës në Evropë dhe për mendimin tim, ai është më i miri për Europën dhe Francën”.

Presidenti Sarkozi dhe zoti Hollande nuk janë kandidatët e vetëm në zgjedhjet e së dielës në Francë. Janë gjithsej 10 kandidatë presidencialë, mes tyre Marine Le Pen e ekstremit të djathtë dhe Jean-Luc Melenchon i së majtës ekstreme, të cilët sipas anketimeve pritet të dalin në vend të tretë dhe të katërt.

XS
SM
MD
LG