Lidhje

Në ekspozitën e Londrës, një portret i Tefta Tashko Koços


Në ekspozitën e Londrës, një portret i Tefta Tashko Koços
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

Sopranoja shqiptare e viteve 30 të shekullit të kaluar, Tefta Tashko Koço, vazhdon të frymëzojë artistët e rinj shqiptarë.

Piktorja Suela Pulaha Brown ka krijuar një portret original në bojëra vaji, i cili është përzgjedhur të marrë pjesë në ekspozitën vjetore të Londrës.

Piktorja shqiptare Suela Pulaha Brown sapo ka përfunduar pikturën në vaj “Perlat e Tefta Tashko Koços”, një vepër e përzgjedhur nga kritika britanike për të marrë pjesë në ekspozitën vjetore të Londrës. Kjo është hera e parë që sopranos së shquar shqiptare Tefta Tashko Koço i kushtohet një vepër kaq e plotë në teknikën e vajit dhe orë të tëra pune mbi telajo për të nxjerrë në pah elegancën e saj shqiptare në një sfond luksi.

“Tefta Tashko Koço është një nga ato figura të shquara që nuk i përket vetëm Korçës, nuk i përket vetëm Shqipërisë, por i përket Europës dhe ajo duhet ta njohë. Ajo është një urë lidhëse mes Shqiëprisë dhe kontinentit europian të cilit ne i përkatim jo vetëm nga ana gjeografike, por edhe nga ana kulturore dhe artistike” - tha zonja Brown.

Piktorja Suela Pulaha Brown thotë se portreti “Perlat e Tefta Tashkos” shënon fillimin e një cikli pikturash të saj kushtuar figurave të shquara të historisë shqiptare në trajta origjinale.

Autorja jeton e krijon në Angli, por ajo ka lindur në Korçë dhe ka studiuar për pikturë në shkollën artistike të vendlindjes, që mban pikërisht emrin e këngëtares së njohur lirike të operave botërore “Tefta Tashko”. Piktorja Suela Pulaha Brown çeli ekspozitën e saj të parë qysh në vitin 1995, ndërsa studimet universitare i kreu në në Britaninë e Madhe.

“Dëshiroj që brezi i ri të njohë këto figura të shquara, sepse këto janë njerëz, të cilët kanë investuar jetën dhe talentin për zhvillimin e vendit dhe janë një model i shkëlqyer për brezin e ri, si dhe ambasadorë të kulturës, të muzikës dhe të talentit shqiptar” - tha piktorja.

Qëndrimi fisnik në portretin elegant i sopranos së shquar, rrethuar nga piano pariziene dhe mjedis luksoz europian, mbart edhe një energji origjinale shqiptare nga vitet rinore, kur ajo pati sukseset e saj më të mëdha në në skenat botërore e ato shqiptare. Për këto cilësi, piktura ka fituar të drejtën të jetë pjesë e ekspozitës vjetore në kryeqytetin britanik.

“Për dashurinë e madhe që kam ndaj pikturës, një pjesë të kohës ia kushtoj krijimtarisë time artistike. Kam marrë pjesë me punime të ndryshme në disa ekspozita, që janë zhvilluar në Uells dhe në Angli. Punimet e mia kanë tërhequr vëmendje të veçantë dhe për këtë jam e lumtur, sepse dua që të jem një ambasadore e denjë e artit shqiptar këtu në Britani ku banoj” - tha zonja Brown.

Tefta Tashko Koço është një nga sopranot më të shquara shqiptare në vitet 20-30 të shekullit të kaluar. Ajo studio muzikën në Francë dhe është e njohur si për intepretimin e operave të famshme botërore ashtu edhe për regjistrimin e këngëve popullore shqiptare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG