Lidhje

10 të vrarë në një shkollë të mesme në Teksas


10 të vrarë: 9 studentë dhe një mësues - dhe 10 të plagosur njoftohen nga një incident me armë zjarri në një shkollë të mesme në Teksas. Në mesin e plagosurve është edhe një oficer policie, për të cilin thuhet se është në gjendje të rëndë.

Në fillim të ditës, 17-vjeçari Dimitrios Pagourtzis, bir i një emigranti grek, hyri me armë në shkollën e mesme Santa Fe, jo larg Hjustonit, dhe filloi të qëllonte. Policia tha se e ka arrestuar Dimitrios Pagourtzis-in, nxënës i shkollës së mesme të Santa Fesë, dhe më pas një person të dytë, të dyshuar për lidhje me të.

Shokët e shkollës të 17-vjeçarit, ndaj të cilit janë ngritur akuza për vrasje, e përshkruan atë si një njeri të qetë, që nuk fliste shumë. Gjatë marrjes në pyetje në polici, Dimitrios Pagourtzis tha se kishte patur në ndër mend të vriste edhe veten pas sulmit në shkollë, por nuk kishte guxuar ta bënte këtë veprim.

Ky është incidenti i tretë me armë zjarri në mjedise shkollore, i regjistruar këtë muaj në Shtetet e Bashkuara si dhe incidenti i 22-të i kësaj natyre që nga fillimi i vitit.

Zyrtarët e rendit thanë se përveç dy armëve që mendohen të ishin të të atit të autorit të sulmit, në vendin e ngjarjes u gjetën edhe mjete të tjera shpërthyese, si bomba artizanale dhe tenxhere me presion. Nuk dihet në se i ati i autorit të sulmit ishte në dijeni që i biri ja kishte marrë armët e regjistruara sipas rregullave të shtetit.

Presidenti Donald Trump e cilësoi ngjarjen "një sulm absolutisht të tmerrshëm", një nga shumë që kanë "që kanë prekur vendin për një kohë të gjatë”. Në një mesazh drejtuar të prekurve nga incidenti dhe familjeve të tyre ai tha se “ne jemi me ju në këto orë tragjike dhe do të jemi me ju përgjithmonë". Ai u zotua për të hequr siç tha armët "nga duart e atyre që paraqesin kërcënim për veten dhe për të tjerët".

Konteja e Santa Fe-së ndodhet në juglindje të Teksasit, mes qyteteve të Hjustonit dhe Galvestonit.

Në shkurt shkolla e Mesme e Santa Fe-së u përfshi nga një tjetër incident, gjatë të cilit nuk u lëndua askush. Në këtë rast policia nuk gjeti asnjë dëshmi nëse kishte patur të shtëna.

Ngjarja e fundit vjen rreth tre muaj pas vrasjes së 17 nxënësve dhe mësuesve në shkollën e mesme “Marjory Stoneman Douglas” në Parkland të Floridës me armë gjysmë-automatike.

Masakra e Parklandit rifilloi një debat kombëtar mbi kontrollin e armëve dhe nxiti protesta në të gjithë vendin për ligje më të rrepta për kontrollin e armëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG