Lidhje

Tensione të shtuara SHBA – Kinë për tregtinë


Drejtuesit e një prej organizatave kryesore lobiste në Amerikë thonë se Kina po përgatitet për mundësinë e një lufte tregtare me Shtetet e Bashkuara, që mund të vendosë në rrezik edhe kompani nga vende të tjera. Fjalimi i sonte i Presidentit Trump për gjendjen e kombit pritet të trajtojë çështjen e praktikave të padrejta të Kinës dhe se si do të veprojë SHBA-ja për të ardhmen e tregtisë.

Kina shtroi tapetin e kuq për Presidentin Donald Trump gjatë vizitës së tij vitin e kaluar, kur palët nënshkruan marrëveshje biznesi me vlerë 250 miliardë dollarësh.

Por vetëm disa javë më pas, Presidenti Trump po shton presionin tregtar ndaj Kinës dhe një zyrtar i lartë i administratës tha se ai do të theksojë gjatë fjalimit reciprocitetin në marrëdhëniet tregtare.

Presidenti Trump ka ndërmarrë tashmë masa të forta ndaj kompanive të telekomunikacionit apo paneleve diellore, si dhe priten masa të tjera tregtare në të ardhmen.

William Zarit, kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kinë, thotë se askush nuk dëshiron një luftë tregtare, por shton se Pekini po planifikon tashmë se si do të veprojë ndaj masave tregtare të Uashingtonit.

“Do të ketë me siguri një kundërpërgjigje. Megjithatë, do të shohim se ç’do të ndodhë. Deri tani janë ende spekulime”, thotë zoti Zarit.

Kina mund të kundërpërgjigjet ndaj sektorëve me domethënie politike, si p.sh. bujqësia dhe linjat ajrore, sektorë ku pati mbështetje të fortë për zotin Trump gjatë zgjedhjeve.

Anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kinë kanë pikëpamje të ndryshme për mënyrën se si duhet bërë biznes në ekonominë e dytë më të madhe të botës.

Në anketimin e tyre të përvitshëm të klimës së biznesit, të botuar sot, bie në sy se 78% e tyre theksojnë rëndësinë për biznesin të marrëdhënies SHBA – Kinë.

Këtë vit është shtuar përqindja e optimistëve për klimën e investimeve, por ende 75% e tyre nuk ndjehen të mirëpritur.

Zoti Zarit thotë se kompanitë nuk dëshirojnë tarifa dhe tensione, por disa mbështesin masa më të forta:

“Disa nga kompanitë që nuk përjetojnë qasjen e duhur në treg dhe që dëshirojnë ndryshim, mund të jenë të lumtura të shikojnë masa tregtare dhe presion nga Uashingtoni”.

Por, ai thotë se kompanitë që ndjehen komode, nuk do të preferonin masa të tilla. Megjithatë, më shumë presion mund të rezultojë në fund të fundit, mënyrën e vetme për të sjellë ndryshim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG