Lidhje

Tërmeti dhe cunami në Japoni mësim për sigurinë energjetike në SHBA


11 marsi shënon përvjetorin e parë të tërmetit shkatërrimtar prej 9 ballësh dhe cunamin që goditi Japoninë verilindore. Shkatërrimet që shkaktoi cunami dhe shkrirja e pjesshme e centralit bërthamor të Fukushimës tërhoqën vëmendje të madhe. Por kjo fatkeqësi e dyfishtë gjithashtu ka shkaktuar çrregullime në sistemin e energjisë dhe transportit në rajon dhe ka shtuar vështirësitë për banorët dhe punonjësit e ndihmave emergjente. Në disa vende, për disa javë kishte mungesë të benzinës për makinat, kamionët dhe gjeneratorët. Brigjet e Paqësorit në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada ndodhen në zona aktive ssizmike dhe mund të preken nga tërmete si ai që goditi Japoninë. Prandaj ekspertët e energjisë këtu kanë nxjerrë mësime të veçanta nga përvoja e hidhur e Japonisë.

Studiuesi i tërmeteve në Universitetin e Tokios Kenji Satake ka eksploruar zonën japoneze ku ka ndodhur tërmeti vitin e kaluar, pas reagimit fillestar ndaj situatës emergjente. Një vit më vonë, duke folur në një konferencë shkencore në Vankuver, ai kujtoi radhët e gjata në pikëshitjet e benzinës.

“Ne duhej të prisnim të paktën gjysmë ore, e ndonjëherë më shumë se një orë për t’u furnizuar me karburant. Ka qenë një radhë e gjatë në pikat e furnizimit me karburant”.

Pas tërmetit, dy rafineri nafte u përfshinë nga zjarri dhe u dogjën për disa ditë. Në vende të tjera, mungesa e karburantit ka penguar ekipet emergjente. Këto pasoja janë në vëmendjen e Althea Rizzo, koordinatore në Zyrën e Menaxhimit të Emergjencave në Oregon, ku janë duke u zhvilluar plane për përballimin e një tërmeti të madh dhe cunami të fuqishëm si ai që goditi Japoninë vitin e kaluar. Zonja Rizzo pret që Paqësori Veriperëndimor të përjetojë pasoja të ngjashme ose edhe më keq në rast të një tërmeti të madh.

“Nga rafineria deri te furnizimi i makinës me benzinë ka shumë gjëra që mund të dështojnë. Në rast të një tërmeti, benzina që do të keni në makinën tuaj ndoshta do të jetë benzina e vetme që mund të keni për dy ose tre muaj”.

Ky është skenari më i keq. Në SHBA, shumica e infrastrukturës së rëndësishme të energjisë është në pronësi private. Për shembull, kompania e naftës BP është pronare e rafinerive. Ajo gjithashtu drejton një sistem prej 650-kilometrash të shpërndarjes së naftës me tubacione të quajtur, që furnizon me benzinë dhe me karburant avionësh pjesën perëndimore të Uashingtonit dhe Oregonit.

Drejtori i mardhënieve me jashtë i BP për pjesën veriperëndimore të SHBA-ve është Bill Kidd. Ai thotë se ka besim se rafineritë e naftës në këtë rajon do ta përballonin, një tërmeti të madh. Ekspertë të tjerë janë më skeptikë.

Zoti Kidd thotë se rimëkëmbja e sistemit shpërndarës të karburantit pas një tërmeti të madh do të varet nga riparimi i strukturave të tjera të dëmtuara si urat e rrënuara, rrugët e dëmtuara dhe veçanërisht, ndërprerjet e energjisë elektrike. Funksionimi i tubacioneve të gazit dhe pikave të shitjes së karburantit varet nga energjia elektrike.

“Unë jam më i shqetësuar për sistemin e energjisë elektrike në veriperëndim, sepse për funksionimin e pompave të benzinës dhe tubacioneve të naftës nevojitet energjia elektrike. Prandaj për ne ky është shqetësimi më i madh”.

Shteti i Uashingtonit ka një koordinator për çështjet emergjente që është përgjegjës për sektorin e energjisë. Ai është Mark Anderson, i cili thotë se nga përvoja e fatkeqësive natyrore në të kaluarën, njerëzit nuk kanë nevojë për furnizim me karburant për një kohë të gjatë.

“Për shembull, stuhia e dëborës dhe akullit që shkaktoi ndërprejen e furnizimit me karburant, i bën edhe rrugët të pakalueshme, prandaj njerëzit nuk mund të lëvizin me makina”.

Në shtetin e Oregonit, agjencitë shtetërore po këshillohen me furnizuesit e energjisë për të vlerësuar dobësitë e tyre ndaj një tërmeti me magnitudë 9 ballësh dhe në bazë të këtyre informacioneve ata marrin masa për përmirësimin e strukturave dhe pajisjeve.

Në Kaliforni, mundësia e një fatkeqësie bërthamore të madhe me përmasat të njejta me atë që ndodhi në Japoni është përherë e pranishme në mendjet e njerëzve. Aktivistët anti-bërthamorë po bëjnë krahasimin e kompleksit të dëmtuar në Fukushima me disa centrale bërthamore në bregdetin e Kalifornisë. Ata citojnë ngjashmëritë e reaktorëve për nga vjetërsia dhe vendndodhja e tyre pranë bregdetit në zona aktive të tërmetit. Operatorët e këtyre centraleve këmbëngulin se objektet e tyre janë të sigurta dhe se Kalifornia ka nevojë për energji. Ata thonë se ata do ta demonstrojnë këtë gjatë seancave të ardhshme për vazhdimin e licencave.

Por, edhe pas një viti, kujtimet nga shkatërrimi i pjesshëm i centralit bërthamor të Fukushimës janë ende të freskëta. Kundërshtarët po organizojnë peticione dhe këtë vit ata shpresojnë ta hedhin në votim të ardhmen e energjisë bërthamore në Kaliforni.

XS
SM
MD
LG