Lidhje

Bombat në Teksas, ende në kërkim autorët


Hetuesit amerikanë thonë se bomba që shpërtheu të dielën vonë në Austin të Teksasit ishte aktivizuar nga një tel dhe ishte “më i sofistikuar” sesa tre shpërthimet e mëparshme këtë muaj.

Autoritetet thonë se dy burra në të 20-at, u plagosën në shpërthimin e fundit që tronditi kryeqytetin e shtetit jugperëndimor amerikan. Shefi i policisë së Austinit, Brian Manley tha se dy viktimat kishin pësuar “plagë të konsiderueshme” në incident, por ishin në gjendje të qendrueshme në një spital lokal.

Ai tha se hetuesit “kanë parë ngjashmëri në paisjen që shpërtheu këtu mbrëmë dhe tre paisjet që kanë shpërthyer në Austin që nga 2 marsi”. Shpërthimet e mëparshme shkaktuan vdekjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Agjenti i FBI-së Christopher Combs tha se përdorimi i telit për të aktivizuar bombën në shpërthimin e fundit “e ndryshon situatën. Është më e sofistikuar. Nuk ka në shënjestër individë të caktuar. Ne jemi shumë të shqetësuar se me tela, një fëmijë mund të jetë duke ecur në trotuar dhe ta godasë”. Shpërthimet e mëparshme ishin pako-bomba që ishin lënë në dyert e banesave dhe ishin aktivizuar kur viktimat i kishin marrë në dorë.

Combs tha se ishte “shumë e rëndësishme” që banorët e Austinit të mos prekin asgjë që “mund ta konsidreojnë të dyshimtë”.

Policia po e heton vendosjen e bombave si krime të mundshme urrejtjeje. Tre shpërthimet e para shkaktuan vdekjen e dy burrave afrikano-amerikanë dhe plagosjen rëndë të një gruaje hispanike 75 vjeçare. Por të plagosurit e fundit janë të bardhë.

Autoritetet kanë ofruar një shpërblim prej 100 mijë dollarësh për këdo që sjell informacion që mund të çojë në arrestimin e personave përgjegjës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG