Lidhje

Thaçi: Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë - ndërmarrja diplomatike më serioze amerikane për Ballkanin Perëndimor


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën se marrëveshja ekonomike me Serbinë e arritur në Shtëpinë e Bardhë dëshmoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara dhe mbështetjen e tyre për Kosovën dhe rajonin.

Në një konferencë me gazetarë në të cilën i bëri jehonë marrëveshjes, presidenti Thaçi tha se kjo ishte ndërmarrja diplomatike më serioze e Shteteve të Bashkuara në këto dy dekada për Ballkanin Perëndimor.

“Gjatë këtij procesi jo të lehtë, në fakt shumë të vështirë hasëm në vështirësi, akuza, pengesa, konspiracione të shumta nga shumë anë. Me formalizimin e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë të gjitha këto u treguan të rrejshe, të paqëndrueshme dhe paragjykuese. Prandaj zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës, rritja e mirëqenies sociale për qytetarët, projektet infrastrukturës më kapital të madh, linjat ajrore, hekurudhore e autostradat kanë qenë gjithmonë prioritet i shtetit të Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se synim përfundimtar mbetet paqja dhe qëndrueshmëria në tërë Ballkanin Perëndimor. Ai tha se presidenti Trump e konkretizoi përpjekjen për ecjen përpara në bisedimet që sipas tij pritet të përmbyllen me njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme është kthimi në lidership i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kosova është duke bërë dialog ka vite me Serbinë, kemi qenë të përkushtuar dhe mbesim të zotuar për një marrëveshje përfundimtare për paqe të qëndrueshme në mes të të dy vendeve si vende të pavarura dhe sovrane, për njohje të ndërsjellë dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve. Por që kjo të arrihet nevojitet mbështetje e fuqishme ndërkombëtare, këtë mbështetje e ofron qartë, saktë dhe qëndrueshëm Ëashingtoni gjithashtu duhet edhe unitet i qëndrueshëm dhe funksional dhe efikas i skenës politike kosovare”, tha ai.

Ai tha se formalizimi i marrëveshjes në Washington është paraprirë nga një proces i gjatë i takimeve dhe bisedimeve jo të lehta. Takimi i Shtëpisë së Bardhë ishte paralajmëruar të mbahej më 27 qershor, por u anulua pasi që më 24 qershor Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

“Ndihem mirë që kam qenë i involvuar nga momenti i parë deri në ditën e nënshkrimit që kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Shtëpinë e Bardhë para dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes, për mua me rëndësi është shpirti dhe substance e marrëveshjes dhe më e rëndësishme se sa prezenca fizike kështu që unë qëndroj prapa atij përkushtimi se Kosova mund të ketë sukses me lidershipin e SHBA-ve”, tha ai.

Në Kosovë udhëheqës institucionesh e partish politike në pushtet e kanë mirëpritur marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, por jo edhe nga opozita e cila ka kritikuar qeverinë për marrëveshje të keqe dhe humbje të mundësisë për një marrëveshje përfundimtare që siguron njohjen e ndërsjellë dhe ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Thaçi vlerëson marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:07 0:00

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG