Lidhje

Thaçi, pas takimit me Pompeon: SHBA, interesim i ri për Kosovën


Thaci

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha pas takimit me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo në Departamentin e Shtetit se politika kosovare, partitë politike dhe qeveria duhet të orientohen dhe të marrin vendimet që i përkasin kultivimit të partneritetit strategjik me SHBA.

Duke komentuar për Zërin e Amerikës menjëherë pas takimit, ai tha se “është qëndrim i qartë i SHBA që Kosova ka nevojë të prodhojë argumente pozitive për të lehtësuar mbështetjen e SHBA-ve për zhvillimet në Kosovë, për zhvillimin e saj ekonomik.”

Ai tha se nuk është i arsyeshëm konfrontimi me dikë për të lënduar raportet strategjike me SHBA, NATO-n dhe Bashkimin Evropian. "Por para së gjithash ne jemi të bekuar me këtë interesim të ri dhe konkret të SHBA për Kosovën,” tha Presidenti i Kosovës.

Zoti Thaçi tha se i kërkoi Sekretarit Pompeo që roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë. Ai tha se kishte marrë zotimin e tij e në të njëjtën kohë kishte shfaqur edhe zotimin e Kosovës “që të jemi sa më shpejtë pjesë e Natos, sepse kemi një ushtri profesionale dhe multietnike.”

Zoti Thaçi komentoi edhe për kritikat e kryeministrit Albin Kurti për atë që ai e quan shkelje të Kushtetutës nga zoti Thaçi kur ishte kryeministër lidhur me marrëdhëniet e FSK-së me NATO-n. Presidenti i Kosovës tha: “Kosova është e bekuar që ka Naton në Kosovë dhe ky partneritet vetëm sa do të avancohet derisa të jetë Kosova pjesë e Natos. Shqetësim për Kosovën është paranoja për Naton dhe jo prezenca e Natos.”

Presidenti Thaçi u prit gjithashtu me ceremoni në Departamentin e Mbrojtjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG