Lidhje

Thaçi: Çështja e Kosovës, politikë zyrtare e SHBA


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju ndodheni në Washington në prag të ndërrimit të administratave. Cili është synimi i kësaj vizite?

Hashim Thaçi: Unë ndjehem tepër mirë që fillimin e këtij viti, të punës time si president e kam nisur në Uashington, ku kam ardhur fillimisht për të falenderuar administratën Obama, zëvendës-presidentin Joe Biden për mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë Republikës së Kosovës, paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon. Në të njëjtën kohë, kam informuar për progresin që kemi shënuar në Kosovë, por edhe për të vazhduar me hapa të mëtutjeshëm me administratën e re të presidentit Trump. Në të gjitha takimet që kam zhvilluar, edhe me senatorë, kongresmenë, të të dyja kampeve politike, republikanë dhe demokratë, me njerëz të instituteve të ndryshme, është një konkludim se Kosova ka ecur shumë mirë, Kosova duhet të vazhdojë në rrugën e vet të drejtë, të integrimeve euro-atlantike, të reformave demokratike qoftë në politikë dhe ekonomi, apo në legjislacion, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, në luftën kundër fondamentalizmit islamik dhe terrorizmit, në zhvillimin ekonomik, në krijimin e vendeve të punës. Edhe një herë i jam shumë mirënjohës administratës së presidentit Obama dhe nënpresidentit Biden me të cilin diskutuam dje gjatë për zhvillimet në Kosovë, për hapat tonë të mëtutjeshëm, për progresin e arritur, por edhe për sfidat që mund të kemi në të ardhmen, kështu që mund të them lirisht se Uashingtoni do të vazhdojë të ruajë vëmendjen tek zhvillimet në Kosovë me një vëmendje dhe mbështetje të fuqishme.

Intervistë me Hashim Thaçin
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:12 0:00

Zëri i Amerikës: Ndryshimet në Washington pritet të jenë të mëdha, si në çdo ndryshim administrate, aq më tepër që kjo vjen pas 8 vjetësh të qëndrimit në pushtet të demokratëve dhe të fitores së zgjedhjeve nga zoti Trump, që pakush e kishte parashikuar. Cila është pritshmëria juaj për administratën e re në lidhje me Kosovën? A jeni takuar këto ditë me zyrtarë të ekipit të politikës së jashtme të zotit Trump?

Hashim Thaçi: Është fat që çështja e Kosovës nuk ka qënë e lidhur vetëm me një kamp politik në Uashington por ka qënë një politikë zyrtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një mbështetje e dy kampeve politike edhe republikan edhe demokrat sepse në kohën e presidentit Clinton ne kemi fituar lirinë dhe jemi çliruar dhe në kohën e presidentit Bush kemi fituar pavarësinë ndërsa në kohën e presidentit Obama jemi konsoliduar si shtet. Unë pres që edhe administrata e re e presidentit të ri Trump të mbështesë Kosovën. Këto ditë kam patur kënaqësinë që të vë kontaktet e para me njerëzit e ri që mund të jenë në Departamentin e Shtetit, gjithashtu edhe në Departamentin e Mbrojtjes por edhe në departamentet e sigurisë që do të merren drejtpërdrejt me çështjet e Evropës, gjithashtu të Kosovës dhe të Ballkanit perendimor. Nuk mund të them se do të ketë vëmendje sikurse ka qenë më herët dhe është mirë pasi Kosova nuk është ndonjë vend i krizës, por jam i bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata e re e presidentit Trump do ta mbështesin Kosovën në rrugën e saj për themelimin e ushtrisë së Kosovës, për futjen në partneritetin për paqe, dhe prespektivë të sigurtë për Nato. Kosova ka qënë, është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm dhe falenderues i përjetshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë mbështetje. Kështu që shoh edhe tek njerëzit e administratës së re vullnet dhe gatishmëri, por edhe vendosmëri që kauza e Kosovës të lëvizë në binarët e drejtë, në vlerat euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Zoti president, ju erdhët në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në Kosovë ka filluar një krizë e re pas arrestimit të ish kryeministrit Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze bazuar në një urdhër-arresti të qeverisë së Serbisë. Çfarë ndikimi do të ketë ky zhvillim për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe procesin e normalizimit të këtyre marrëdhënieve?

Hashim Thaçi: Besoj se ky akt arbitrar i ndalimit të zotit Haradinaj dhe ndalimet e mëhershme të miat, të zotit Nehat Thaçi, të kryeministrit Çeku dhe të luftëtarëve e komandantëve të tjerë të Ushtrisë së Kosovës paraqesin një akt ofendues për dinjitetin e shtetit tonë dhe për qytetarët tanë. Është një veprim i politikës së vjetër të Serbisë sikur në kohën e Sllobodan Milosheviçit. Serbia, pasi humbi betejat në luftën me Kosovën, pasi humbi betejën për të penguar pavarësinë e Kosovës, tani me çdo kusht përpiqet për t’i paraqitur si të kriminalizuar liderët politikë të Kosovës. Edhe kjo tendencë do të dështojë, prandaj lirimi me kusht i zotit Haradinaj më së pari është një veprim i mirë që ka ndodhur, në anën tjetër është i pamjaftueshëm dhe do të duhej që pa asnjë kusht të lirohej dhe të kthehej në shtëpinë e vet dhe në axhendën e tij politike. Në të njëjtën kohë vetë Bashkimi Evropian do të duhej të ishte shumë më i qartë në raport me Serbinë që gjërat të tilla të mos lejohet të bëjë, sepse po ato programe që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian e kanë luftuar regjimin e Sllobodan Milosheviçit dhe vetë liderët e atyre vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qënë akuzuar me akuza të njëjta nga regjimi i Sllobodan Milosheviçit, duke filluar nga presidenti Clinton, presidenti Jacque Shirac gjithashtu ministri i Jashtëm (Joshka) Fisher, Tony Blair. Të gjithë ata njerëz që kanë qënë në krye të përgjegjësive shtetërore, qoftë në SHBA, qoftë në vendet e Bashkimit Evropian apo në Nato, kanë qenë akuzuar me akuza të tilla fallco apo të rreme nga ana e regjimit të Milosheviçit dhe të vazhduar nga qeveritë aktuale. Prandaj është një veprim kriminal i shtetit të Serbisë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se gjatë viteve të kaluara, kur keni qenë ju në qeveri ose qeveria e tanishme duhet të kishte bërë më shumë në bisedimet me Beogradin që të ishte zgjidhur, të ishte kaluar çështja e urdhër-arresteve të Serbisë, të cilat janë të vjetra, kanë disa vite që janë në fuqi por nuk janë zgjidhur?

Hashim Thaçi: Kosova nuk e ka atë mundësi që ta bindë Serbinë për heqjen e këtyre fletë-arresteve, për arsye se, duhet të sqaroj, që të gjithë ne ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jemi në atë listë. Ndërsa ata që janë mbartës të institucioneve e fitojnë një lloj imuniteti nga vendet evropiane ku lëvizin, por nuk hiqen nga lista, por vetëm është një ngrirje e atyre fletë-arresteve. Unë kur kam qenë në opozitë, vetë jam ndaluar në Budapest dhe e ndiej edhe gjendjen e zotit Haradinaj, edhe bashkëluftëtarëve të tjerë, kur u ndodhin gjëra të tilla, por Bashkimi Evropian duhet të jetë i qartë, i saktë dhe i vendosur në presionin e drejtpërdrejtë ndaj Serbisë. Serbia nuk mund të lëvizë drejt Bashkimit Evropian me qasjen e mentalitetit të Sllobodan Millosheviçit, prandaj këtu faji kryesor për këtë ndalim është mospresioni i Bashkimit Evropian ndaj Serbisë.

Institucionet e Kosovës kanë qenë të gjitha të mobilizuara dhe kanë kryer obligimin e vet kushtetues dhe ligjor ndaj këtyre çështjeve për aq sa kanë mundësi dhe kanë fuqinë e vet. Unë këtë çështje e kam ngritur edhe në Uashington dhe kam telefonuar përsëri edhe në Bruksel. Ne do ta diskutojmë edhe në ditët e ardhshme që njëherë e përgjithithmonë kjo çështje të mbyllet plotësisht. Është plotësisht e padrejtë dhe në të njëjtën kohë është qasje që e lëndon përpjekjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin Kosovë-Serbi.

Zëri i Amerikës: Një çështje tjetër që ka shkaktuar krizë politike në Kosovë ka qënë marrëveshja me Malin e Zi që nuk po ratifikohet dot nga parlamenti. A ka rrugëdalje për këtë çështje?

Hashim Thaçi: Kjo është një kauzë elektorale e panevojshme që është ngritur. Çështja e demarkacionit është përmbyllur njëherë. Është marrëveshje e drejtë, e saktë, e konfirmuar prej ekspertëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Po përse nuk po ratifikohet?

Hashim Thaçi: Ajo ështç e konfirmuar edhe prej hartave të Natos, prej ekspertëve të Natos, e vlerësuar prej presidentit Obama dhe vetë Shteteve të Bashkuara. Mendoj se mentaliteti lokal i ndikimit në votim në parlamentin e Kosovës i ka sjellë dëm shtetit të Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe prespektivës së sigurtë evropiane. Kjo çështje nuk është e hapur mes Kosovës dhe Malit të Zi, është çështje e brendshme në parlamentin e Kosovës që padrejtësisht po i mban peng qytetarët e Kosovës me mosvotimin.

Zëri i Amerikës: Meqë është çështjae e brendshme e parlamentit të Kosovës, e politikanëve në Kosovë, a mendoni se ajo mund të bëhet shkak për zgjedhje të parakohshme?

Hashim Thaçi: Unë si president i vendit jam në kontakt të vazhdueshëm me liderët politikë. Nuk shoh ndonjë kërkesë që është ofruar për zgjedhje të parakohshme. Janë dy mundësi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. E para nëse kjo maxhorancë humb fuqinë e vet në parlamentin e Kosovës. E dyta janë marrëveshjet mes liderëve politikë. Nuk po shoh as njërën e as tjetrën të ndodhë, prandaj do të respektoj ligjet e vendit dhe do t’u jap mbështetje institucioneve në punën e tyre që e bëjnë sot dhe në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Pak më parë ju përmendët se një nga përparësi ose një nga sfidat me të cilat ndeshet Kosova është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ka patur shumë vërejtje dhe një ndër to është se po futet një kulturë pandëshkueshmërie, pra nuk po ndëshkohen krerët, organizatorët e këtyre akteve të kësaj natyre. Përse nuk po luftohet më seriozisht krimi dhe korrupsioni?

Hashim Thaçi: Definitivisht, Kosova ka pas sukses në luftë kundër korrupsionit. Është vlerësuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe prej 95 kritereve që BE-ja i ka vënë Kosovës për liberalizimin e vizave ne i kemi plotësuar 94 prej tyre edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Natyrisht kjo luftë nuk përmbyllet me veprime të shkëputura por është një proces që duhet të vazhdojë dhe duhet të jemi të vendosur. Nuk ka vend në rajonin e Ballkanit perendimor që ka goditur në nivele më të larta korrupsionin dhe krimin e organizuar sesa Kosova, qoftë në nivel të zëvendës-kryeministrave, të ministrave, të kryetarëve të komunave, të drejtorëve të agjencive të ndryshme, që kanë qënë edhe në procese të hetuesisë, edhe të ngritjes së akt-akuzave edhe në procese gjyqësore. Që në ditët e para të ardhjes sime si president ka filluar reforma në sistemin e drejtësisë që është në fazën përfundumtare dhe unë dua të besoj që atë vakum ligjor që është vërtetur që ekziston, apo të hapësirave që janë vërtetur që duhet të plotësohen me ekspertizë ligjore më të fuqishme, do të kalojë në parlamentin e Kosovës. Kosova, edhe pse ka kodin penal më të mirë në rajon, të konsultuar me Komisionin Evropian gjithashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të bëjë hapa të tjerë përpara në luftë edhe kundër korrupsionit edhe krimit të organizuar, edhe trafiqeve por në të njëjtën kohë e theksoj edhe në luftë të vendosur kundër fondamentalizmit islamik dhe terrorizmit. Kosova do të vazhdojë të mbetet kampion në rajon në luftë kundër të keqes.

XS
SM
MD
LG